Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, ka denoncuar një rast ku sipas tij deputeti i PD Klevis Balliu është penguar që të vizitojë kreun e PL Ilir Meta, ndërkohë që është penguar edhe të njihet me kushtet në të cilat mbahen të paraburgosurit.
Në një postim në rrjetet sociale, Blushi shkruan se një gjë e tillë bie në kundërshtim me ligjin, pasi institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetët pa asnjë lloj autorizimi.
“I bëj thirrje SPAK-ut që të nisë pa asnjë vonesë hetimet penale ndaj drejtorit patronazhist të IEPV “Jordan Misja”, Gentian Lila, si dhe ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose, të cilët me vetëdije dhe në mënyrë të përsëritur po shkelin ligjin, duke u bërë bashkëpunëtorë aktivë në këtë krim shtetëror. Në emër të Partisë së Lirisë, u bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, organizatave të pavarura dhe mekanizmave që mbrojnë të drejtat e njeriut, të reagojnë me forcë dhe pa ekuivoke, për të dënuar këtë akt skandaloz, i cili dëshmon qartë se rrëmbimi, ndjekja penale dhe izolimi i Z. Ilir Meta është një operacion i pastër kriminal shtetëror, i urdhëruar dhe dirigjuar drejtpërdrejt nga Kreu i Organizatës, Edi Rama”, shkruan Bluhsi.
Postimi i plotë:
Në një akt të rëndë paligjshmërie, arbitrariteti dhe dhune shtetërore, në shkelje flagrante të Kushtetutës, ligjit shqiptar, Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe rekomandimeve të qarta të Avokatit të Popullit, administrata patronazhiste e IEPV “Jordan Misja” ka penguar sot deputetin e Partisë Demokratike, Z. Klevis Balliu, të ushtrojë funksionin e tij kushtetues për t’u njohur me kushtet në të cilat mbahen të paraburgosurit dhe të burgosurit, si dhe për t’u takuar me Presidentin e Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, i cili u rrëmbye në mënyrë mafioze nga Narkoshteti dhe mbahet i burgosur politik prej më shumë se 15 muaj. Ligji është i qartë, i prerë dhe i pakontestueshëm: institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetët pa asnjë lloj autorizimi. Çdo përpjekje për ta ndaluar këtë të drejtë përbën shkelje të rëndë ligjore dhe abuzim të hapur me pushtetin. Në raportin e Avokatit të Popullit mbi trajtimin çnjerëzor dhe degradues të z. Meta në ambientet e IEPV “Jordan Misja”, theksohet qartë se ndalimi i vizitave të deputetëve është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Megjithatë, drejtuesit e këtij institucioni, të vetëshpallur mbi ligjin, vazhdojnë të sillen si një strukturë jashtë kontrollit kushtetues, duke shkelur rëndë të drejtat e njeriut dhe duke ekspozuar hapur karakterin kriminal të kësaj administrate. IEPV “Jordan Misja” sot provoi publikisht se nuk funksionon si institucion shtetëror, por si vegël e verbër politike, në shërbim të një misioni të vetëm: izolimin ekstrem, çnjerëzor dhe politik të Presidentit të Partisë së Lirisë, me urdhër dhe bekim të Edi Ramës. I bëj thirrje SPAK-ut që të nisë pa asnjë vonesë hetimet penale ndaj drejtorit patronazhist të IEPV “Jordan Misja”, Gentian Lila, si dhe ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose, të cilët me vetëdije dhe në mënyrë të përsëritur po shkelin ligjin, duke u bërë bashkëpunëtorë aktivë në këtë krim shtetëror. Në emër të Partisë së Lirisë, u bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, organizatave të pavarura dhe mekanizmave që mbrojnë të drejtat e njeriut, të reagojnë me forcë dhe pa ekuivoke, për të dënuar këtë akt skandaloz, i cili dëshmon qartë se rrëmbimi, ndjekja penale dhe izolimi i Z. Ilir Meta është një operacion i pastër kriminal shtetëror, i urdhëruar dhe dirigjuar drejtpërdrejt nga Kreu i Organizatës, Edi Rama.
