Nga: Ornela Manjani

Zhvillimet politike në vend, protestat, përplasjet politike mes palëve dhe përplasjet me ambasadat, zvarritja e çështjeve në gjykata deri në 5 vjet janë faktorët kryesorë që kanë përkeqësuar klimën e biznesit në vend.

Këta janë faktorët kryesorë për Presidentin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford në emisionin “Të bësh ekonomi”, ku Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, zgjodhi të mos përfaqësohej.

“Unë besoj se ambasadori flet nga pikëpamja e Uashingtonit. Ne si Dhomë po mbështesin procesin dhe të mos hyjmë në detaje, sepse është politike dhe jo biznes. Konfliktet me investitorët e mëdhenj ndodhin me koncesionet. Çështjet e shumta që kanë shkuar në arbitrazh stepin biznesin amerikan për të investuar në Shqipëri, janë një flamur i kuq, është një shenjë rreziku, ndikim negativ. Në rast se një investitor do të kërkojë në ‘google’ për Shqipërinë, do të shikojë protestat, përplasjet e politikës me ambasadat, sondazhet, arbitrazhet, dhe mund të vendosë të mos investojë. Pra ky është realiteti. Për biznesin amerikan, duhet të shkosh në shtëpi ose në arbitrazh, rrugë të mesme nuk ka, ose duhet të presësh pesë vjet. Ata shkuan në gjykatë u thanë të kenë durim pesë vjet, por nuk patën aq durim. Në Shqipëri ka potencial për të investuar, por kur shikon që gjykatës i duhen 5 vjet të marrë vendim, nuk vjen”, – tha Crawford.

Ndërsa kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka deklaroi se klima e bizneset nuk është aq gri sa del nga raporti i FIAA-s. “Ky sondash duhet trajtuar në tre dimensione: Duhet parë sa negativë janë këta indikatorë, e dyta mënyra e bërjes së sondazhit, dhe e treta realiteti. Në rastin konkret mund të them se po adresohen gabim. Kemi tre vjet që themi “sistemi gjyqësor” dhe të lësh jashtë pjesën tjetër të administratës. Në rast se do të kishim një administratë që nuk do të abuzonte, nuk do të shkonim në gjykata. Në rast se ke një sistem që funksion shumë mirë në administratë, nuk do të shkonim te gjykata. Ne kemi kërkuar krijimin e Gjykatës Administrative, u bë ligji më i mirë. A funksionon? Jo! A kemi padrejtësi? Po, ka, po zvarriten gjyqet, po asnjë zgjidhje nuk erdhi nga Gjykata Administrative. Klasa politike, në vend që të pastrohet për veten e tyre me vetingun e tyre, nuk e ngrenë gishtin nga vetja, por thonë që e keqja është sistemi i drejtësisë. Sot sistemi gjyqësor, nuk e vë në dyshim se ka të korruptuar, por ka shumë profesionalë dhe të pakorruptuar, të cilët ndihen të kërcënuar. Presioni që po i bëhet gjyqësorit ua bën atyre të pamundur të marrin edhe vendime të drejta. Ne kemi kërkuar të ngrihet një sistem gjyqësor mbi meritokracinë”, – tha Jaka. Ndërsa analisti i INDRA-s, Iv Rexhepi shpjegoi metodën që është ndjekur për rezultatet e sondazhit të FIAA. “Ky nuk është një kampion i të gjitha bizneseve, ky është në census i vetë shoqatës së investitorëve, rreth 120 anëtarë. Mund të konsiderohet numër i vogël, por kjo tregon se në Shqipëri nuk ka shumë biznese të huaja. Ne nuk masim agregatin e bizneseve në total, ne masim perceptimin e investitorëve të huaj në vend. Fokus ka qenë reforma në drejtësi, meqë është edhe një nga temat më aktuale, dhe doli që gjykatat ishin problemi më i madh. Ne krijuam një listë me 25 elementë dhe u kërkuam investitorëve të vlerësonin shkallën e problemit që shfaqin për ta. Termi i dytë ishte korrupsioni”, – tha Rexhepi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: