TIRANE- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli inspektoi sot në Parkun Kombëtar të Dajtit task – forcën për zbatimin e moratoriumit 10-vjeçar për ndalimin e prerjes së pyjeve, strukturë mbështetëse e së cilës është Policia Ushtarake. Ministrja Kodheli pa nga afër praktikën e punës së “Rojës së Gjelbër”, si dhe u njoh me rezultatet e arritura nga kjo strukturë ndërinstitucionale në mbrojtje të pyjeve.

Sipas efektivëve të task-forcës, deri tani janë konstatuar 52 raste të transportit apo prerjes së paligjshme të drurëve, disa prej të cilave janë dërguar për ndjekje penale. Ajo u njoh gjithashtu edhe me tendencën në ulje të rasteve të prerjes apo së paligjshme të pyjeve, ku për muajin qershor janë konstatuar vetëm 4 raste.

Ministrja Kodheli e cilësoi si emergjente situatën e pyjeve dhe e konsideroi si shumë të rëndësishme mbrojtjen e tyre. “Ishim në momentin e duhur. Ishim në zgrip të një situate, realisht ndoshta që nuk do të kishim mundësi të rikthehej në situatën e mëparshme. Ndaj dhe ky angazhim i menjëhershëm i Policisë së Shtetit, Policisë Ushtarake, Ministrisë së Mjedisit me gjithë strukturat e veta, inspektorët dhe ekspertët, e bëri të suksesshëm këtë ndërmarrje. Jam më shumë se sa e kënaqur që ne jemi pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët për t’i ruajtur pyjet, për t’i ruajtur mushkëritë e vendit tonë, si një domosdoshmëri, jo vetëm në mbrojtje të këtyre ekuilibrave, por në domosdoshmëri për të parandaluar përmbytjet dhe çdo efekt negativ, të cilin ne sot e përballim nëpërmjet të gjithë situatave aspak të këndshme që kemi me natyrën”- u shpreh Kodheli.

Task – forca “Roja e Gjelbër”, është një organizëm i përkohshëm për marrjen e masave emergjente për parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin nga çdo dëmtim të pyjeve publike e private. Ajo funksionon në pikat kryesore të akseve rrugore në të gjithë territorin e vendit, duke kontrolluar pikat e nxehta të identifikuara si potencial për prerje pyjesh si dhe në subjektet që përdorin si lëndë të parë atë drusore.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: