TIRANE – Në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua një aktivitet sensibilizues në kuadër të luftës kundër kancerit të gjirit. Në këtë veprimtari morën pjesë gra dhe vajza ushtarake, si dhe punonjëse civile të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të FA, Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Akademisë së Forcave të Armatosura, si dhe të strukturave të tjera të garnizonit “Skënderbej”. Ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, drejtori i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Nazmi Cahani, përfaqësues nga Instituti i Shërbimit Publik etj.

Fjalën e hapjes e mbajti drejtoresha e Drejtorisë së Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në Shtabin e Përgjithshëm të FA, kolonel Manushaqe Shehu.
Në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes Kodheli theksoi se, “ne gratë e Shqipërisë jemi të gjitha nga pak Nënë Tereza, për shkak të mundit, të energjive, devotshmërisë, përkushtimit, sakrificës, zemërgjerësisë që demonstrojmë në raport me të afërmit tanë, por edhe me miqtë e kolegët, në raport me të tjerët”.

Por ndërkohë, nënvizoi ajo, vjen një moment që të gjitha ne nga pak duhet të bëhemi egoiste, në kuptimin e mirë të fjalës, egoiste për t’u kujdesur për shëndetin tonë, sepse shëndeti ynë është dhe shëndeti i familjes, është më shumë mirëqenie në familje, është më shumë qetësi, është më shumë përkushtim ndaj të tjerëve. Të qenët egoist ne duhet ta fillojmë me shkuarjen në një laborator, në një spital, për të verifikuar se çdo gjë shkon mirë me trupin tonë.

“Askurrkush nuk është i imunizuar nga kjo lloj sëmundje, i çfarëdo lloj shtrese sociale qoftë, jo domosdoshmërish kush ka më shumë të ardhura mund t’i shpëtojë vdekjes, ka vetëm një arsye që na bën ne të jemi më të sigurta për të ardhmen tonë, shkuarja rregullisht, në kohën e duhur dhe në moshën e duhur te mjeku për të bërë mamografinë, pap-test-in dhe të gjitha check-up-et e tjera dhe në këtë mënyrë parandalojmë sa më shpejt që të jetë e mundur një sëmundje të shekullit, siç janë sëmundjet tumorale”, – ka theksuar ministrja Kodheli.

Më tej, ministrja Kodheli i ftoi gratë e FA që të shkojnë për ta bërë mamografinë, por të bëhen edhe nxitëse për të çuar në këtë vizitë mamatë, madje dhe gjyshet për ta bërë këtë gjë. “Ashtu siç ju shërbeni për të mbrojtur këtë vend, për ta mbajtur këtë vend me dinjitet, për të mbrojtur sigurinë e të ardhmes së fëmijëve tanë, ashtu duhet të bëni të pamundurën për të sensibilizuar çdo nënë, motër, grua që rri rreth jush dhe që nuk e ka fatin apo shansin të ketë kontakte të drejtpërdrejta”, – u shpreh znj. Kodheli.

“Jeta është gjëja më e shtrenjtë që na është falur, tha znj. Kodheli, por jeta që kemi falur është akoma më e shtrenjtë. Për t’i mbrojtur këto të dyja, atë jetë që kemi dhe atë që falim, ne duhet të jemi egoistë, të shkojmë ta bëjmë mamografinë dhe të gjitha testimet që na e mundësojnë jetëgjatësinë. Ju uroj tetor të mbarë të mamografisë dhe mamografive kudo që janë dhe t’i shpëtojmë jetët e grave shqiptare si pjesa më e mirë dhe më heroike e shoqërisë tonë” – ka përfunduar fjalën e saj ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Të pranishmit i përshëndeti edhe deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Klodiana Spahiu
Më pas, ministrja e Kodheli ftoi gratë pjesëmarrëse në takim për të bërë ekzaminimin pranë njësisë së mamografisë së lëvizshme që kishte ardhur enkas për këtë qëllim nga Instituti i Shërbimit Publik të Ministrisë së Shëndetësisë. Edhe një vit më parë, në kuadrin e muajit të luftës kundër kancerit të gjirit, Ministria e Mbrojtjes, nën kujdesin e posaçëm të ministres Kodheli, ka organizuar aktivitete të kësaj natyre, çka tregon kujdesin e vazhdueshëm për diagnostikimin e grave dhe vajzave që punojnë në FA, duke e kthyer tashmë këtë në një traditë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: