KROACI- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli po zhvillon një vizitë dyditore në Kroaci, me ftesë të homologut të saj Josip Buljević. Në takimet që ministrja Kodheli zhvilloi me kryetarin e Parlamentit, Željko Reiner, zëvendëskryeministrin e parë, Tomislav Karamarko, ministrin e Jashtëm dhe Çështjeve Evropiane, Miro Kovač dhe ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Josip Buljević, u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimi i mirë dypalësh mes Shqipërisë dhe Kroacisë.

Në takimin me homologun e saj kroat, ministrja Kodheli shprehu përkushtimin e Shqipërisë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve si dhe në kuadër të iniciativave rajonale. Ajo gjithashtu shprehu gatishmërinë e Shqipërisë në përpjekjet e përbashkëta në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në emër të stabilitetit dhe sigurisë.

Ministrja Kodheli theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në kuadër të iniciativave rajonale si Southeast Europe Defense Ministerial (SEDM) dhe Kartën e Adriatikut e njohur si A-5, dhe shprehu besimin që vendi ynë ka te Kroacia, si kryesuese e A-5 për vitin 2016. Ministrja Kodheli theksoi gjithashtu rëndësinë e anëtarësimit me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut, të të gjithë vendeve të rajonit, ndërkohë që bashkërisht shprehën gatishmërinë për të punuar së bashku në operacionet dhe misionet e NATO-s.

Çështja e fenomenit të luftëtarëve të huaj, të cilët ministrja Kodheli i cilësoi si “një sfidë dhe kërcënim të vërtetë për shoqërinë tonë”, ishte një tjetër temë e bisedës mes ministrave Kodheli dhe Buljević. “Shumë prej tyre vijnë nga rajoni ynë dhe akoma më shumë kalojnë përmes rajonit tonë.” – tha ajo, duke e njohur homologun kroat me propozimin e Shqipërisë për të ngritur në vendin tonë një Qendër Ekselence të NATO-s për trajtimin e këtij fenomeni. “Shumë shpejt do të nisim shkëmbimin e pikëpamjeve në Komitetin Ushtarak të NATO në Bruksel, për ta ngritur këtë qendër në Shqipëri. Mbështetja e Kroacisë në këtë nismë të vendit tim, është shumë e rëndësishme dhe do të ishte e mirëpritur nga ana jonë.” – tha Kodheli.

Gjithashtu, dy ministrat ranë dakord edhe për hapjen e zyrave të përfaqësuesve ushtarakë në Tiranë e Zagreb. Ministrja Kodheli përsëriti vendosmërinë e Shqipërisë si një aleate e fortë e “politikës së dyerve të hapura” të NATO-s, deri në integrimin sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Aleancë.
Më pas ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u prit në një takim nga ministri i Jashtëm dhe Çështjeve Evropiane Miro Kovač, me të cilin konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera me dy vendeve. Kodheli e falenderoi Kovač për mbështetjen e çmuar dhe të vazhdueshme të Kroacisë për axhendën eurointegruese të Shqipërisë. “Ky vit do të jetë vendimtar në përparimin tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim dhe ne kërkojmë mbështetjen e përpjekjeve dhe hapave tanë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.” – tha ajo.

Ministrja Kodheli e siguroi ministrin e Jashtëm kroat se reforma në drejtësi do të hapë një kapitull të ri si në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, ashtu edhe në procesin e integrimit të vendit tonë në BE. “Miratimi i legjislacionit kyç për reformën në drejtësi duhet të çojë në hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.” – tha ajo. Nismën e Shqipërisë për ngritjen e një qendre ekselence për trajtimin e luftëtarëve të huaj dhe mbështetjen që nevojitet për këtë, ministrja e Mbrojtjes e preku edhe në takimin që pati me ministrin e Jashtëm kroat.

Kryefjala e takimeve të ministres Kodheli me kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Željko Reiner dhe zëvendëskryeministrin, Tomislav Karamarko ishin marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes vendeve tona dhe mbështetja e Kroacisë në axhendën eurointegruese të Shqipërisë. Në takimet që ministrja Kodheli pati me zyrtarët e lartë kroatë, u theksua nevoja për projekte të përbashkëta rajonale, si mënyra më e mirë për të rritur bashkëpunimin dhe zhvillimin më të mirë të vendeve tona.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: