TIRANË

Kryeministri Edi Rama nuk ndryshon qëndrim sa i përket votimit të Kodit Zgjedhor nga parlamenti me ndryshimet e bëra nga maxhoranca.

Pas apelit të komisionerit për zgjerimin Oliver Varhelyi që të pritet opinioni i Komisionit të Venecias, Rama tha nga Rinasi sot se e ka sqaruar komisionerin se parlamenti nuk do presë asnjë sekondë dhe se nuk ka pse të hyhet në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta.

“Unë e kam sqaruar dhe komisionerin në një bisedë që kemi pasur, pa dorashka se parlamenti nuk do presë asnjë sekondë sepse kemi zgjedhjet më 25 prill dhe s’kemi pse të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta që ka qëllim të sabotojë këtë proces. Komisioni i Venecias i mirëpritur të sjellë kur të pjekë opinionin e vet. Ai opinion do diskutohet me të gjitha forcat politike dhe do mbetet për të adresuar çfarëdolloj çështje që mund të dalë përtej 25 prilli. Nuk kemi kohë për të humbur dhe për t’iu futur një aventure. Implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet, është marrë një angazhim për identifikimin biometrik, koha është e ngushtë”, deklaroi Rama.

Por nuk ka munguar dhe njëherë etiketimi për Presidentin e Republikës dhe qëndrimin e tij, të cilin e quajti “përpjekja e një lideri alternativ të një opozite të copëtuar dhe lideri absolut i një partie të degraduar”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb