Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim deklaroi sot se SPAK ka bërë shumë përparim, ndërsa kërkoi nga mediat të jenë më të guximshëm për të raportuar dhe për të folur për ngjarje të mëdha.

Ambasadorja tha gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se në vitin 2020 pati 746 persona që u hetuan nga SPAK dhe në tremujorin e 2021 janë në hetim 246 persona. “Nuk mund të ndjekësh çdo çështje, por ajo që është e rëndësishme është që nga ato çështje që SPAK ka çuar në gjyq, kanë pasur sukses në 90% të rasteve”, tha ndër të tjera Kim.

PJESË NGA INTERVISTA
Blendi Fevziu: Ka shumë njerëz në Shqipëri, qytetarë, që ende presin rezultatet konkrete të reformës gjyqësore. Mendoj që jemi shumë shumë vonë, tetë vjet pas votimit të themi të reformës, ende nuk kemi rezultate konkrete. Çfarë mendoi për këtë?

Ambasadorja Kim: Tetë vjet?

Blendi Fevziu: Pesë vjet.

Ambasadorja Kim: Dakord.

Blendi Fevziu: 2016.

Ambasadorja Kim: Mendoj që në këtë pikë është një çështje perceptimi.

Blendi Fevziu: Pse është çështje perceptimi?

Ambasadorja Kim: Sepse mendoj që SPAK ka bërë shumë përparim. Ka qenë në funksion pak më shumë se një vit. Dhe mendoj që kreu i SPAK Arben Kraja ka dhënë disa intervista lidhur me veprimet e ndërmarra nga SPAK. Kanë nxjerrë raportin vjetor për vitin 2020, ku flisnin për 746 individë që ishin nën hetim dhe se çfarë ka ndodhur, asetet e konfiskuara. Siç e dini, unë mbaj shënime shumë të kujdesshme edhe për këtë sepse Shtetet e Bashkuara kanë investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në suksesin e SPAK. Tani…

Blendi Fevziu: Po çfarë do të thotë në mënyrë të jashtëzakonshme? Sa keni investuar?

Ambasadorja Kim: Nga pikëpamja e mbështetjes materiale por edhe këshilla dhe mbështetje tjetër.

Blendi Fevziu: Edhe persona që këshillojnë SPAK?

Ambasadorja Kim: Po. Pra, në vitin 2020 pati 746 persona që u hetuan. Dhe ato raste po shqyrtohen tani. Për tremujorin e këtij viti, 2021, informacioni më i fundit që kam është që 264 persona janë duke u hetuar. Nuk mund të ndjekësh çdo çështje, por ajo që është e rëndësishme është që nga ato çështje që SPAK ka çuar në gjyq, kanë pasur sukses në 90% të rasteve që kanë…

Blendi Fevziu: …të rasteve që kanë çuar …

Ambasadorja Kim: …ndjekur. Është mbresëlënëse. Tani, e përsëris, reforma në drejtësi nuk ka për të qenë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur. Dhe nëse prisni atë, po përgatitesh për dështim. Por ajo që do të them është që po ndodh përparim i vërtetë dhe përparimi, teksa ecim përpara, nuk do të jetë një vijë e drejtë. Nuk shkon nga prej këtu deri atje. Ajo që ndodh është që do ecësh përpara, do bësh pas, dhe ajo që do që të ndodhë është që prirja e gjerë të jetë ecja përpara dhe mendoj që është ajo që po shihni.

Blendi Fevziu: Ambasadore, numrat janë numra, nuk po them gjë për numrat, por problemi është tek rastet konkrete, shembujt e mëdhenj që publiku nuk po i sheh ende. Le të themi, të mëdhenjtë, personat e rëndësishëm, personat me pushtet, këta nuk janë ende nën hetim.

Ambasadorja Kim: Shiko, nuk mund…

Blendi Fevziu: …sepse njerëzit, lidhur me reformën në drejtësi, kishin parasysh peshqit e mëdhenj, po përdor këtë term të vjetër, që do të hetoheshin. Megjithatë, deri tani, nuk kemi emra të mëdhenj, të fuqishëm nën hetim…

Ambasadorja Kim: Do të jem e drejtpërdrejtë siç jam zakonisht. Mendoj se jeni keqinformuar…

Blendi Fevziu: Pse…

Ambasadorja Kim: …dhe mendoj se po përsërisni diçka që është e rreme. Ka pasur çështje të mëdha që janë shpallur…

Blendi Fevziu: Për shembull?

Ambasadorja Kim: …dhe ju nuk flisni për to. Nuk do t’i përmend me emër sepse nuk dua të ndërhyj në çështje në vazhdim…

Blendi Fevziu: Raste të mëdha për të cilat nuk flet media?

Ambasadorja Kim: Po. Për shembull, verën e shkuar, u shpall një çështje e madhe, e cila përfshinte trafikun e drogës që ka një lidhje me median dhe biznesin. Ju nuk flisni për të dhe pastaj të gjithë pretendoni që nuk po ndodh asgjë. Ka prokurorë, ka mjekë, ka të tjerë që po hetohen. Tani, nëse më thua që askush nuk do ta besojë deri sa politikani më i madh apo, kushdo tjetër, të jetë në burg, mendoj që po injoroni faktet dhe vazhdoni propagandën. Thjesht nuk është e vërtetë që nuk ka përparim. Në fakt, ka pasur përparim të jashtëzakonshëm. Pra, nuk mund të më thuash nga njëra anë që i pranon shifrat e mia, por nga ana tjetër nuk pranon të vërtetën për atë që po ju them.

Blendi Fevziu: Jo, jo, po flas për shembujt e mëdhenj…

Ambasadorja Kim: Pra, nëse do të isha si ju, do t’ju nxisja të kërkoni më shumë dhe të jeni më të guximshëm në raportimin e fakteve se kush nuk po hetohet dhe për çfarë. Mos pretendoni se nuk po ndodh asgjë sepse është shërbim i keq për popullin shqiptar.

Blendi Fevziu: Do të pyes zyrtarisht kreun e SPAK-ut dhe të shohim ç’do ndodhë.

Ambasadorja Kim: Ju lutem bëjeni.

Blendi Fevziu: Ka shumë pretendime, sidomos nga opozita, që reforma në drejtësi është kapur nga Rama dhe është përdorur prej tij, edhe SPAK. A keni ndonjë koment për këtë?

Ambasadorja Kim: Nuk kam asnjë koment për këtë.

Blendi Fevziu: Dhe çfarë mendoni për rastet e mëdha që SPAK do të ketë në të ardhmen? Keni thënë në deklarata që po hetojnë tri apo katër çështje të mëdha. Çfarë mendoni, do të kenë rezultate konkrete për çështjet e mëdha në të ardhmen?

Ambasadorja Kim: Besoj që po. Shikoni, qoftë reforma në drejtësi dhe veprimtaria e SPAK dhe të tjerë, qoftë krimet zgjedhore, qoftë sjellja në përgjithësi, askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë po i afrohet fundit.

Blendi Fevziu: Të shpresojmë.

Ambasadorja Kim: Të shohim. Dhe, një e vërtetë tjetër: media, reporterët, ju, duhet të jeni më të guximshëm për të raportuar çfarë po ndodh. Vë re kur çështje të caktuara shkojnë në gjykatë, askush nuk flet për to. Vë re që kur njerëzit…

Blendi Fevziu: Po, është e çuditshme…

Ambasadorja Kim: …janë të dyshuar, askush nuk flet për ta. Pse, më thoni pse?

Blendi Fevziu: Varet nga çështja. Zakonisht studio është gjithmonë e hapur dhe…

Ambasadorja Kim: …dëgjoj për telefonatat që iu bëhen shefave të studiove. I dëgjoj këto.

Blendi Fevziu: …për të ndaluar…

Ambasadorja Kim: Ky është problemi, të mosfolurit për çështje të caktuara. Pra ky është problem. Është problem propaganda. Është problem perceptimi..

Blendi Fevziu: Është skandal nëse ka ndodhur.

Ambasadorja Kim: Është problem pushteti. Pandëshkueshmëria duhet të marrë fund. Reporterët, gazetarët kanë një rol për këtë. Sigurisht, rolin më të madh e kanë ligjzbatuesit, por të mos bëjmë sikur.

Blendi Fevziu: Ambasadore, BKH është rrugës por jo e plotë. Pse është kaq e vështirë?

Ambasadorja Kim: Në fakt po bëjnë shumë përparim aty. Janë 30 e ca hetues që pothuajse kanë përfunduar trajnimin tani. Ka pasur një raund të dytë thirrjesh për më shumë hetues. Kjo do të marrë disa muaj më shumë. FBI jonë është përfshire në trajnim. Pra, është një proces emocionues.

Blendi Fevziu: Në ndihmë të BKH?

Ambasadorja Kim: Po ofrojnë trajnime në fillim dhe sipas nevojës do të ofrojnë edhe këshilla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb