Kohë rinovimesh te Juventus. “Zonja e Vjetër” ka shfrytëzuar pauzën e kampionatit për të blinduar disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të saj. I pari në listë, Leonardo Bonucci. Pas disa dyshimeve që sollën edhe transferimin e përkohshëm te Milani, mbrojtësi i ka premtuar besnikëri kampionëve italianë, duke firmosur kontratën që e mban lidhur deri në vitin 2024.
Praktikisht, Bonucci ka vendosur të mbyllë karrierën e tij pikërisht me Juventus, ku ka fituar gjithçka në futbollin italian. Klubi bardhezi ka shuar edhe zërat e merkatos në lidhje me portën, ku ditët e fundit afrohej Gigio Donnarumma.
Kampionët e Serie A vazhdojnë të besojnë te Szczsny. Portieri polak gjithashtu ka rinovuar kontratën, duke zgjatur “martesën” me Juventus deri në vitin 2024. Ka ndryshuar edhe statusi i Juan Cuadrado.
Futbollisti kolumbian ishte nxjerrë në shitje gjatë merkatos së verës, por për shkak të dëmtimeve ka fituar besimin e Maurizio Sarri, madje duke luajtur edhe si mbrojtës i majtë. I kthyer në një lojtar i rëndësishëm për skemat e trajnerit, Cuadrado ka fituar të drejtën e rinovimit, duke firmosur kontratën e re deri në vitin 2022.
(balkanweb)