TIRANË- U prezantua sot aplikacioni “Mjedisi im” një nismë e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve që synon përfshirjen e qytetarëve në raportimin e shkeljeve mjedisore.

I pranishëm në prezantim ishte Ministri i Mjedisit, Z. Lefter Koka, Kryeinspektori i ISHMP-së, z. Ergys Agasi, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, përfaqësues të shoqatave të ndryshme mjedisore dhe të shoqërisë civile.

Në fjalën e tij Ministri i Mjedisit, Z. Lefter Koka përgëzoi Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit për hartimin e këtij aplikacioni në një kohë mjaft të shkurtër duke theksuar se ky nuk është vetëm një aplikacion, por zëri dhe arma më e fortë e qytetarëve. “Për të pasur një mjedis të shëndetshëm nuk mjafton vetëm reforma administrative, nuk mjaftojnë penalizimet, nuk mjaftojnë revokimet, por kërkohet parandalim.  Kjo arrihet me përkushtimin tonë, të Ministrisë së Mjedisit dhe institucioneve të varësisë, me ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë, dhe mendoj se pikërisht ky portal do të jetë një armë më e fortë për qytetarët dhe për Ministrinë e Mjedisit.”

Ministri Koka tha se së shpejti  në parlament do të prezantohet paketa për ndryshimet në kodin penal, për ndëshkimet e abuzuesve mjedisorë: “Pavarësisht punës sonë, realiteti tregon se ne vazhdojmë të kemi prerje pyjesh, ne vazhdojmë të kemi qytetarë të papërgjegjshëm që me mënyrat më të ndryshme ndotin qytetin, ne vazhdojmë të kemi aktivitete të cilat kanë një ndikim negativ në mjedis ndaj ne shpejt do të paraqesim në Parlamentin Shqiptar amendime të kodit penal, për parashikimin e një sërë veprash të tjera që konsiderohen krim mjedisor.”

Ministri Koka foli edhe për ligjin e pyjeve i cili shumë shpejt do të kalojë në Këshillin e Ministrave. “Duke u ndalur tek pyjet sepse vazhdojnë të jenë me ligj dhe pa ligj ne do të prezantojmë ligjin e pyjeve që konsiston në dy gjëra shumë të rëndësishme: Nga njëra anë do të kërkojmë një moratorium për rreth 10 vjet të prerjes së pyjeve me qëllim fitimi dhe  nga ana tjetër do të kalojmë pyjet 100% në menaxhim të pushtet vendor. “

Përtej reformave administrative dhe ligjore Ministri i Mjedisit theksoi se parandalimi i degradimit mjedisor dhe abuzimeve është sfida dhe detyra kryesore e Ministrisë së Mjedisit  ndaj ai u bëri  thirrje qytetarëve që të raportojnë në këtë aplikacion me qëllim ruajtjen e mjedisit. “Do të dëshiroja shumë që qytetarët shqiptarë ta përdorin sa më shumë këtë aplikacion, të mund të komunikojnë me Ministrinë e Mjedisit sa më shumë.   Detyra jonë funksionale është që të ruajmë mjedisin shqiptar në të gjitha komponentët e tij dhe nëse mund të bëjmë pjesë edhe qytetarët shqiptarë në këtë aksion të madh unë ju garantoj që brenda këtij mandati do të mund të bëjmë jo vetëm ato çfarë kemi premtuar në fillim të mandatit tonë, por shumë më shumë se aq”- tha Ministri Koka

Më tej gjatë prezantimit të aplikacionit “Mjedis Im” Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, z. Alqi Bllako vlerësoi punën e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, duke theksuar se në shtator të vitit 2013, 90 për qind e bizneseve ishin pa leje mjedisore, ndërsa pas gati dy vjetësh situata është përmbysur duke shënuar 90 për qind të subjekteve me leje mjedisore.

Aplikacioni “Mjedisi Im” u prezantua nga Kryeinspektori Ergys Agasi i cili vuri në pah se  nëpërmjet këtij  aplikacioni  do të institucionalizohet bashkëpunimi Komunitet-Inspektorat. Aplikacioni “Mjedisi im” synon inkurajimin e pjesëmarrjes më të lartë të publikut në mbrojtjen e pasurive natyrore, një reagim në kohe reale ndaj çdo akti në dëm të mjedisit si dhe uljen  e ndjeshme të korrupsionit duke rritur transparencën dhe kontrollin.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: