Emisioni investigativ “Në Shënjestër” ka sjellë sot fakte për keqmenaxhimin e rezervave hidrike dhe krizë energjetike.

Si të mos mjaftonin tenderat e përfolur të shëndetësisë, rrugëve apo deri te uniformat e policisë, këtë herë duket se korrupsioni madhor nuk la pa prekur edhe një nga sektorët më kyç të ekonomisë, atë se si qeveria Rama nuk vonoi të keqmenaxhojë edhe rezervat hidrike, duke provokuar një kolaps të thellë energjetik, të padëgjuar më parë, që vuri në vështirësi serioze edhe furnizimin me energji për qytetarët.

E tillë duket se ka qenë edhe situata me kaskadën e Drinit gjatë pjesës së dytë të vitit 2021 dhe 6-mujorit të parë të vitit 2022. Situata doli jashtë kontrollit, pas shfrytëzimit pa kriter që qeveria u bëri burimeve ujore në hidrocentralet që përfshijnë këtë kaskadë. Kjo bëri që rezervat ujëmbledhëse në këto basene jo vetëm të shteronin, por edhe të çonin Korporatën Energjetike Shqiptare, drejt blerjes së energjisë me çmimin më të lartë në treg, por edhe drejt një falimentimi të sigurt financiar. Kjo gjë u vu në pah edhe nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Auditi jo vetëm nuk kurseu kritikat për mënyrën se qeveria menaxhoi situatën, por që na tregoi njëkohësisht edhe se si KESH u detyrua të blejë energji me çmim më të lartë, duke rritur kësisoj shumëfish shpenzimet e veta.

E gjitha kjo në kulmin e një krize globale, që po trondiste tregjet botërore, duke rrezikuar kështu jo vetëm falimentimin e kompanive energjetike shqiptare, por edhe të sistemit që papritur kaloi në një kolaps të thellë.

“Sipas fakteve të mbledhura është e dukshme se në vitin 2021 dhe në 6-mujorin e parë të vitit 2022 kaskada e Drinit është keqmenaxhuar dhe për rrjedhojë energjia elektrike është blerë me çmime të larta.

Kriza globale energjetike u shoqërua me rritjen e shpenzimeve për blerjen e energjisë elektrike nga importi dhe me mungesë të likuiditeteve financiare të shoqërive të sistemit elektroenergjetik shqiptar, gjë që vështirësoi garantimin e qëndrueshmërisë së sistemit dhe furnizimin e pandërprerë me energji elektrike”, shprehet Auditi i KLSH.

Ky fakt i konstatuar nga KLSH, evidentohet edhe nga ekspertët e energjisë, të cilët vlerësojnë se dëmi në këtë rast, nuk ishte vetëm i kompanisë elektroenergjetike shqiptare, por shkoi direkt në xhepat e konsumatorëve.

“Këtu ka një keqmenaxhim goxha të lartë. Po t’i futemi nga ana tregtare mënyrës se si ka operuar në shitje dhe blerjet e energjisë elektrike në bazë të ligjit për sektorin e energjisë elektrike dhe akteve të tjera ligjore që ka nxjerrë Enti Rregullator i Energjisë, referencat e çdo shitje dhe blerjet e energjisë elektrike, referencat e KESH-it janë të paktën 50 euro deri në 100 euro më shumë sesa referenca e bursës hungareze. Kështu që pika e parë ka bërë shkelje ligjore në çdo shitje dhe blerje të energjisë elektrike”, deklaron Eduard Elezi, ekspert i energjisë.

Por si u keqmenaxhua Kaskada e Drinit, dhe cilët ishin faktorët që ndikuan në këtë situate?

Cili ishte roli i negativ i KESH, që rrezikoi njëkohësisht edhe furnizimin me energji elektrike të qytetarëve?

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, arsyeja e parë përse mbërritëm në këtë situatë, ishte keqmenaxhimi i rezervave ujore në Kaskadën e Drinit, gjatë pjesës së dytë të vitit 2021 dhe 6-mujorit të parë të vitit 2022.

Në këtë periudhë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, thuhet se dështoi në menaxhimin e situatës, duke u detyruar të blejë energji me çmimin më të lartë në treg, gjë që detyroi qeverinë të fusë duart thellë në portofolin e saj të emergjencave dhe të nxjerrë nga aty fillimisht 160 milionë euro, për të shpëtuar sistemin nga katastrofa energjetike që po trokiste në derë.

“Keqmenaxhimi i kaskadës së Drinit solli si pasojë rënien e rezervës hidroenergjetike në liqenin e Fierzës dhe rritjen e kërkesës për import të energjisë elektrike, në një periudhë që përkon me çmime shumë të larta të energjisë elektrike në bursë.

Në këto kushte, qeveria shqiptare injektoi nëpërmjet instrumenteve financiarë 165 milionë euro dhe 20 miliardë lekë, që sistemi elektroenergjetik të mos kalonte në kolaps”, thotë Auditi i KLSH.

Pra siç shikohet situata ka qenë e tillë, sa qeveria pavarësisht vështirësive financiare, në një kohë kur vendi vuante ende pasojat e tërmetit shkatërrimtar të fundit të vitit 2019, të injektonte me emergjencë shuma të mëdha parash për të shpëtuar në këtë rast sistemin energjetik.

Aq sa nëse do t’i besojmë raportit të KLSH, në vitin 2022, për shkak të këtij abuzimi madhor me rezervat hidrike, importi i energjisë gjatë këtij viti, u rrit me mbi 150 për qind në krahasim me vitin 2021.

“Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2022, vlera e importit të energjisë elektrike u rrit me 156 për qind, në krahasim me vlerën e këtyre importeve në vitin 2021. Po kështu shpenzimet për blerjen e energjisë nga importi për vitin 2021 dhe në 6- mujorin e parë të vitit 2022, arritën në vlerën 659 982 839 euro”, deklaron Auditi i KLSH.

“Në momentin që doli në treg të lirë çmimet referuar bursës hungareze në atë periudhë ishin shumë të larta çfarë rëndoi buxhetin e shtetit por edhe KESH-in sepse qeveria i ka dhënë rreth 340 milionë euro grant dhe subvencion Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për të siguruar energjinë e nevojshme”, shprehet eksperti i Energjetikës Azmer Duleviç.

Por ajo që e bëri edhe më paradoksale situatën, është fakti që ndërkohë që ishim përballë një krize të tillë të paprecedentë, shifrat e qeverisë folën për një bum prodhimi energjetik gjatë vitit 2021.

Kështu sipas bilancit energjetik të INSTAT për vitin 2021 kaskada e Drinit prodhoi gati 5.4 gigawat/orë energji nga 3.1 gigawat/orë që u prodhuan në vitin paraardhës.

Por edhe pse kaskada e Drinit prodhoi rreth 57 % më shume energji gjatë 2021, KESH bleu energji nga importi me çmime marramendëse.

Ajo që e nxori këtë herë zbuluar qeverinë shqiptare, si asnjëherë më parë në të gjithë historinë e saj të abuzimit me energjinë, ishte rënia në muajin tetor të vitit 2021 në mënyrë drastike të nivelit të rezervave hidrike në Liqenin e Fierzës.

Një rast i pashembullt që vinte në një moment të vitit kur këto rezerva duhet të ishin të stabilizuara për të menaxhuar më mirë prurjet e dimrit që po afronte.

Situatë që sipas raportit të auditit të KLSH, erdhi pas keqadministrimit të Kaskadës së Drinit.

“Lidhur mbi rastin në fjalë, rënia e nivelit të liqenit të Fierzës në muajin tetor 2021, erdhi si rezultat i mosrespektimit të kushteve të shfrytëzimit dhe administrimit të kaskadës së Drinit, për ruajtjen e kuotave të prodhimit dhe nivelit minimal të lejuar. Për këtë arsye KLSH vlerëson se administrimi i rezervës hidrike ngelet një nga problematikat kryesore si në drejtim të rezervimit të sasisë hidrike në rezervuarët e kaskadës në kushtet e prurjeve të mëdha ashtu edhe në ruajtjen e vlerave të mesatares shumëvjeçare në kushtet e mungesës së reshjeve”, thuhet në auditin e KLSH.

Sipas KLSH, ky është edhe shpjegimi, që detyroi KESH të futet fuqishëm në bursë dhe të blejë nga aty energji me çmim më të lartë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të pallogaritshëm prej qindra milionë euro.

Ndërkohë që në një rast tjetër, nëse do i kishte menaxhuar si duhet rezervat ujore, jo vetëm do i kishte kursyer portofolit të shtetit një dhimbje koke të tillë, por edhe mund të ishte sjellë si faktor, duke u kthyer vetë në eksportues të energjisë elektrike, të paktën në rajon.

Gjë që nuk ka ndodhur as në rastin e parë dhe as në atë të dytë, çka ka rrezikuar me paaftësinë menaxhuese të shkaktojë një rënie të pandalshme të sistemit energjetik.

“Niveli i rezervës hidroenergjetike në Liqenin e Fierzës në muajin tetor të vitit 2021 zbriti me 29 metra krahasuar me atë të muajt maj.

Kështu në muajin tetor niveli zbriti në kuotën 267.74 metra mbi nivelin e detit.

KESH përpiqet të sjellë si argument faktin se ka furnizuar FSHU, OST dhe KOSTT me 96 për qind të sasisë së prodhuar në kaskadën e Drinit, kjo me qëllim sipas tyre të plotësimit të kërkesës së dërguar prej tyre.

Gjithashtu sipas tyre, një nga arsyet ishin edhe kushtet meteorologjike me temperatura të larta mbi mesataren e muajve respektivë, te cilët sollën ulje të ndjeshme të prurjeve të lumenjve në Shqipëri”, thotë Auditi i KLSH.

Por pavarësisht referencave të qeverisë, KLSH duket se nuk është bindur aspak nga argumentet e sjella nga KESH. Madje, siç vihet re edhe më poshtë, ka rrëzuar justifikimet e tyre, duke sjellë evidenca të plota që tregojnë se në muajin maj të vitit 2021, liqeni i Fierzës ishte në kapacitetin e tij të plotë ujor.

“KESH nuk ka paraqitur evidencë dokumentare te re dhe të panjohur më parë nga grupi i auditimit të KLSH. Siç raporton edhe ERE në raportet periodike dhe në korrespodencën me KESH, ku ka konstatuar që në fund të muajit maj 2021 liqeni i Fierzës kishte një kuotë maksimale prej 296.65 metra mbi nivelin e detit”, thotë Auditi i KLSH.

Pra, siç është trajtuar edhe në këtë raport auditimi, niveli i liqenit te Fierzës në këtë periudhë ishte brenda vlerave të lejuara maksimale dhe mbi mesataren disa vjeçare.

Sipas KLSH, kjo rënie vijoi edhe në vitin në vazhdim, ku për herë të parë Liqeni i Fierzës preku fundin, duke nxjerrë edhe rrënojat e Kukësit të vjetër, madje edhe varrezat e vjetra të qytetit, siç janë edhe këto pamje që i takojnë marsit të vitit 2022.

Në këtë kohë kur ky liqen duhet të ishte në kapacitetin e tij të plotë, por faktet treguan të kundërtën.

“Nga administrimi i kaskadës së Drinit, niveli i lartë i arritur në 6-mujorin e parë të vitit 2021 i cili përbënte një siguri për të menaxhuar dhe shfrytëzuar sipas kushteve optimale kaskadën e lumit Drin edhe për 6-mujorin e dytë të vitit 2021, rezulton se niveli i rezervës hidroenergjetike në Liqenin e Fierzës në muajin tetor 2021 zbriti me 29 metra krahasuar me atë të muajt maj.

Pra në muajin tetor 2021 niveli i rezervës hidroenergjetike në Liqenin e Fierzës zbriti në kuotën 267.74 metra mbi nivelin e detit.

Rënia e nivelit të Fierzës ka vijuar edhe përgjatë vitit 2022 duke arritur minimumin historik në fund të muajit mars të vitit 2022 në kuotën 260.67 mbi nivelin e detit”, shprehet Auditi i KLSH.

“Ato që ne kemi kohë që i themi, i vërtetoi me fakte Kontrolli i Lartë i Shtetit para disa ditësh dhe është e vërtetë që rezerva hidrike u ul gati 3.2 herë nga muaji qershor deri në muajin tetor të vitit 2021, çfarë do të thotë me shifra 1422 gigawat/h u ul në 444 gigawat/h.

Kjo ulje më pas çoi në uljen e rezervës hidrike çfarë detyroi më pas Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të dilte në treg të hapur për të siguruar energjinë ditore dhe mujore që i duhej vendit”, deklaron eksperti i Energjetikës, Azmer Duleviç.

Por për t’iu kthyer edhe njëherë arsyeve që çuan në këtë sabotim të rezervave ujore, është me interes të shikojmë mënyrën se si KESH u soll gjatë vitit 2021 me këto burime hidrike.

Aty mund të kuptojmë edhe shkaqet e vërteta përse u provokua një krizë të tillë.

Besuar gjithmonë raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, shkaku i parë dhe më kryesor, që çoi në këtë situatë, ishte shfrytëzimi pa kriter në periudhën qershor-gusht 2021, nga KESH i HEC-eve, por njëkohësisht edhe një faktor tjetër, jo më pak i rëndësishëm: Sasia po në këtë periudhë e energjisë së prodhuar për shkëmbim.

“Në periudhën e thatë, në kushtet e mungesës së prurjeve; KESH rriti nivelin e shfrytëzimit të HEC-eve në periudhën qershor-gusht 2021, duke prodhuar gati 30 për qind  të kërkesës së kontraktuar me FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal).

Një faktor tjetër që ka ndikuar në rënien e rezervës hidroenergjetike, është edhe sasia e energjisë elektrike të prodhuar për shkëmbim në periudhën qershor-tetor 2021”, thotë auditi i KLSH.

Sipas ekspertit të energjisë, Eduard Elezi, është me vend në këtë rast, të shikohet mënyra se si KESH është sjellë me tagrin që ligji i ka dhënë për shkëmbimin e energjisë që për të, kjo sjellje lë shumë për të dyshuar.

“Atëherë duhen parë veprimet ligjore sesi e ka vlerësuar KESH-i këtë energji ose çfarë fature i ka emetuar KESH-i kësaj kompanie.

Si janë penalitetet në kontratën e shkëmbimit, çfarë fature ka emetuar KESH-i dhe sa ka arkëtuar nga këto sasi energjie. Nëse këto nuk kanë ndodhur, por pret korporata që të bëhen vite pasardhës kur kompania private të ketë mundësi që t’ia kthejë atëherë kjo është një shkelje ligjore flagrante”, thotë Eduard Elezi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb