NGA BESIM NDREGJONI*

“Jetët tona do të marrin fund ditën kur ne do të heshtim për gjërat që kanë rëndësi.” Dr. Martin Luther King, Jr.

Në një shoqëri normale demokratike, ata që i kanë shërbyer diktaturës nuk kanë referencë morale për të qenë udhëheqës politikë në një sistem demokratik. Por çfarë ndodh mbas 25 vitesh pluralizëm në Shqipëri? Partia Komuniste, sot socialiste përgjegjëse direkte në krime, ndërroi emrin dhe nuk u penalizua ligjërisht për krimet ndaj kombit të vet. As Partia e parë që përfaqësonte klasën antikomuniste nuk e kërkoi një veprim të tillë, siç kishte ndodhur në të gjithë lindjen komuniste ku partitë që kishin përfaqësuar regjimet komuniste u shkrinë si parti që u kishin sjellë pushtete diktatoriale vendeve ku sundonin , por e keqja e shoqërisë shqiptare  vjen e tensionohet  nga  politikanët e së majtës që shfaqin në emisione televizive urrejtjen racizmin e ideologjisë që përfaqësojnë kundër personaliteteve antikomuniste të cilët nga regjimi komuniste humbën dhe jetën e tyre.

Kështu ndodhi në fundjavën që sa po u mbyll në emisionin e Arjan Canit “Zonë e Lirë” e Tv Klan me deputetin Ben Blushi.. Ai pa e vrarë ndërgjegjja me fodullëkun e individit që e karakterizon sikur është “mesia” shqiptare, realisht është një gramafon i letërsisë postkomuniste , volli vrerin dhe helmin e tij ideologjik ndaj Kolosit të Shqiptarizmit  intelektualit erudit, firmëtarit të pavarsisë Lef Nosit.

Urrejtja e tije shkoi aq larg sa i bëri thirrje  qytetarëve elbasanas ta tërhiqnin zvarrë bustin e tijë.

E ndoqa këtë emision, u shokova!  Si është e mundur që një politikan shqiptarë në kuadrin e 25 vjetorit të ndërrimit të sistemit ku ai dhe partia e tij shfaqin racizmin komunistë në media ndaj këtij shqiptari që gjithë jetën e tij deri kur plumbi komunistë do të i merrte jetën dha gjithçka për kombin duke sakrifikuar dhe jetën në shërbim të atdheut, të përbaltet e të përçudnohet nga pasardhësit e atyre që i morën jetën dhe gjithë  materialet letrare, studimet kontributin e tij të çmuar kombëtar.

Po kush është ky shqiptar i madh, ky kolos i shqiptarizmës, Lef Nosi! Familja Nosi ende ruan emër të nderuar në Elbasan, madje edhe më gjerë. Shërbimet që Lef Nosi i ka bërë kombit janë të gdhendura në kujtesën historike dhe atë njerëzore. Kontributet e para të Lef Nosit në veprimtarinë atdhetare, politike dhe shoqërore datojnë në fundin e shekullit të XIX. Në vitin 1909 ai themeloi shoqërinë “Afërdita”. Në 1910 botoi të parën gazetë të qytetit të Elbasanit, “Tomorri”. Kontribuoi energjikisht për mbarëvajtjen e Kongresit të Elbasanit dhe hapjen e Shkollës Normale. Pikërisht në këtë kohë u bë i njohur për shkrimet e spikatura dhe artikujt e përkthyer nga shtypi europian, ku fokusoheshin çështjet e aktualitetit dhe interesat kombëtare shqiptare. Dy artikuj të përkthyer nga shtypi europian bëhen shkak që turqit e rinj ta arrestonin dhe t’i jepnin dënimin kapital. Ndërhyrjet e patriotëve dhe opinionit ndërkombëtar bënë që dënimi të kthehej me internim në Bursë të Turqisë. Më 28 nëntor 1912, firmos Aktin e Pavarësisë dhe emërohet ministër i Postë-Telegrafëve. Bën pjesë në delegacionet e qeverisë së Vlorës në Konferencën e Paqes për kufijtë e Shqipërisë, si dhe në delegacionet e pritjes së Princ Vidit. Më 1919 merr pjesë në Kongresin e Durrësit. I ndodhur jashtë vendit përshëndet me telegram Kongresin e Lushnjës. Si mik i Fan Nolit tërhiqet nga jeta politike dhe i kushtohet studimeve gjuhësore, historike, etnografike, albanologjike, si dhe fushave të filatelisë, numizmatikës e mbledhjes së shprehjeve e fjalëve të urta, dokumenteve e librave të rrallë me vlerë për historinë e popullit tonë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nosi ishte kryetar i lëvizjes anti-komuniste Balli Kombëtar. Në vitin 1943 u bë kryetar i Kuvendit shqiptar dhe anëtar i Këshillit të Shtetit gjatë pushtimit nazist. Nga bashkëkohësit thuhet se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mid’hat bej Frashërit (1880-1949), një figure tjetër e qëndresës anti-komuniste. Me pushtimin fashist, Nosi u internua në Itali, ku nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në dobi të vendit. Më 14 shtator 1943 mori pjesë në Asamblenë Kushtetuese që e shkëputi Shqipërinë nga Italia dhe e shpalli shtet të pavarur. Aty u zgjodh Anëtar i Regjencës, po çfarë ishte anëtar i regjencës që gramafoni i letërsisë postkomuniste Ben Blushi e quan bashkëpunëtor të nazizmit… ai dhe të tjerët në një pushtim morën përsipër administrimin e shtetit shqiptar dhe ruajtjen e ekuilibrave të mbijetesës së kombit të vogël të pambrojtur nga asnjë fuqi botërore por dhe nga pushtimi sllavo-ortodoks që pritnin rastin për ta gllabëruar vendin e shqiponjave.. çfarë e shtyu Lef Nosin te rimerrej me politikë në moshën 70-vjeçare, dhe aq më tepër kur fati i Luftës së Dytë Botërore ishte vendosur. Përgjigjen e jep biseda që kishte bërë me Lefin miku i tij, Afëz Musa Basha. Lefi i kishte dhënë këtë përgjigje: “Çunat janë të rinj, serbi jua ka me hile…”. Siç duket, një nga arsyet më madhore është fati i Kosovës.  Dhe fatkeqësisht për Blushin dhe partinë që ai përfaqëson asnjë shqiptar nuk është dënuar si bashkëpunëtor i fashizmit apo nazizmit që t’i kishte dënuar Gjykata e Nurembergut siç ndodhi me vendet e tjera europiane.. ata u dënuan nga akuzat e PPSH dhe jo nga një gjykatë tjetër e besueshme. Gjatë Luftës II Botërore familja e Nosëve strehoi shumë hebrenj nga terrori nazist. Dokumentin e Pavarësisë, pavarësisht mungesës së origjinalit, e kemi dhuratë nga Lef Nosi, studiuesi, intelektuali, politikani dhe atdhetari i shquar, që diktatura e vrau barbarisht fill pas mbarimit të luftës.

Falë këtij kontributi, jo vetëm u bë e mundur ruajtja e tij, i vetmi që kemi nga akti i Pavarësisë, por u shmangën e dështuan përpjekjet e sundimtarëve të ndryshëm për të shtuar si nënshkrues të afërm të tyre”. Lef Nosi gjërat më të vyera i depozitoi në Bankën e Shqipërisë dhe çelësin ia besoi mikut të ngushtë, Aleksandër Xhuvanit.  Më 8 gusht 1945 u arrestua dhe u dënua me vdekje në gjyqin e zhvilluar në shkurt 1946. U pushkatua më 20 shkurt 1946 së bashku me Patër Anton Harapin dhe Maliq Bushatin.  Bërthama e fondit të albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli” në Elbasan mban vulën personale të Lef Nosit. Margaret Hasluck, mikja e Lef Nosit, të bibliotekës së asaj kohe. Si njohës mjaft i mirë i disa gjuhëve të huaja dhe studiues i vlerave dhe historisë së Shqipërisë, ai blinte rregullisht libra të shkruara për vendin tonë dhe ia dhuronte bibliotekës. Një ndër to është libri në gjuhën frënge me titull “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së vjetër të veriut, gegërisë”. “Ky libër i dhuruar nga Lef Nosi ka për autor Hyacinthe Hecquard, asokohe konsull në Shkodër, kavalier i legjionit të nderi, etj. Në të ka 516 faqe të shoqëruara me hartë, ku ekzistojnë katër vilajete. Kryesisht bëhet përshkrimi i vilajetit të Shkodrës e Tivarit. Në këtë libër flitet gjatë edhe për Elbasanin. Pasionin e Nosit për librat e përshkruan me hollësi Dora D’Istria në librin “Gli Albanesi in Rumenia”. Në fondin e Nosit në bibliotekën “Qemal Baholli” gjendet edhe libri me titull “Banka Kombëtare e Shqipnis”, çfarë dëshmon faktin që Lef Nosi ishte një studiues i mjaft fushave”. Në morinë e librave me vulën e tij mund të përmenden veprat me tituj, “Albania the master Key to the Near East”, shkruar nga Christo A. Dako, president dhe drejtues i Partisë Nacionale Shqiptare, me vit botimi 1919, libri “The Balkan Peninsula”, me autor Frank Fox, botuar në vitin 1915, e shumë të tjerë. Një vlerë të madhe të këtij personaliteti paraqet sistemi i dokumenteve historike përmbledhur në një vëllim të madh, ku trajtohen probleme të historisë sonë kombëtare, botim i vitit 1924. Në të ka dokumente që i përkasin harkut kohor 1912- 1918, si telegrame, letërkëmbime, fonograme, shkresa, kujtime etj. Aty pasqyrohen shpallja e pavarësisë kombëtare, krijimi i qeverisë së Ismail Qemalit, luftërat ballkanike, periudha e Princ Vidit etj.

I kryqëzuar nga tri regjime, Kështu ka ndodhur me të. Fillimisht është arrestuar nga turqit, është internuar nga italianët dhe më në fund është pushkatuar nga komunistët. Shkak i prangosjes nga osmanët, ka qenë përkthimi i dy artikujve nga shtypi i Parisit. Ndërhyrjet e patriotëve bënë të mundur që dënimi kapital I “turqve të rinj” të kthehej në internim në Brusë të Turqisë. Falë ndërhyrjeve të miqve do shpëtonte edhe nga dënimi i italianëve që e degdisën në kampet e internimit. Po nuk do të ndodhte kështu me regjimin e Tiranës, së instaluar menjëherë pas Luftës.  Nosi u pushkatua te “Kodra e Priftit” në Tiranë. Jo rastësisht plumbat e asaj dite i morën jetën një katoliku, një ortodoksi dhe një myslimani.  Letra për Enverin: Shpëtoni Nosin

Nga të rrallët bashkëkohës që ka kontribuar sadopak për t’i shpëtuar jetën Lef Nosit, kujtojnë të afërmit, ka qenë një e huaj: Margaret Hasluck, etnografia dhe sociologia skoceze që qëndroi një kohë të gjatë në Elbasan dhe njihej si mikja e tij. E ardhur në vitin 1923 në Elbasan, ku bleu tokë e ndërtoi një shtëpi, Margaret Hasluck qëndroi aty deri më 1939. Gjatë kësaj periudhe eksploroi të gjitha viset shqiptare, veçanërisht zonat malore të Veriut. Për 13 vjet rendi nëpër zonat e skajshme të vendit e pasionuar pas folklorit dhe traditave të veçanta. Personalitetet e kohës, sikundër dhe miku i saj më i afërt, Lef Nosi, e kanë cilësuar si gjeografe, gjuhëtare, epigrafe, arkeologe, dijetare, etnologe e kulturës shqiptare. Margaret Hasluck në vitin 1932 botoi librin “Albanian – English Reader”. Në të përmblidheshin 16 histori folklori të përkthyera me dy gramatika dhe fjalorë. Në kujtimet e Margaret nënvizohet se “pa përkrahjen e Lef Nosit nuk do të mund të kishte nxjerrë në dritë shkrimet e saj”. Miqësia e tyre mbeti deri në fund e sinqertë dhe fisnike. Në vitin 1946, kur Nosi ishte në burg, i kryqëzuar si “Kolaboracionist”, skocezja Margaret Hasluck mori guximin dhe e i shkroi një letër gjeneral kolonel Enver Hoxhës për t’i falur jetën Lef Nosit. Në të, ndër të tjera, në letër thuhet: “Jam gati me u-prezantue si dishmitare përpara çdo gjyqi shqiptar për me i kallzue punët e tij, vetëm se edhe nuk u-shërova prej nji sëmundjeje fort të keqe qi më ka ra vjet në Cairo, e doktori nuk më ep leje qi t’udhëtoj…. Guxoj me ju shkrue ashtu, shkëlqesi, si mikesha e Shqipnisë qi jam dëftye gjithmonë, kur të vij në Shqipni, po të më epni leje, do të ju dëftej ca letra prej Shqiptarëve që thojnë se unë jau mora sigurimin zyrtar e indipendencës së Shqipnisë në shendre 1942. Pa zotin Lef s’un plotësoj mirë librat që jam tue shkrue përmbi Shqipninë…. Ashtu ju shkruaj kët letër si private. Në qoftë se do të keni mirësinë me pranue kët lutje, do të jau di për nder gjithmonë. Me nderime të nalta, shkëlqes Margaret Hasluck d.v

Pra ky është kolosi Lef Nosi që Elbasani e ka në memorialin historik të tije.. e përshëndet çdo ditë, e nderon dhe ndjehet krenar për kontributin e tij.. por pse “te vdekurit” Blushi dhe Shuteriqi duan ta rivrasin kolosin, mbasi i morën jetën , i morën pasurinë e kontributet e tij dhe nuk munden ta fshijnë me pushtetin politik..  e pra vendi im po përballet me të” vdekurit” Blushi-Shuteriqi kundër kolosëve të Shqiptarizmës deri sa këndej, letërsinë na e bëjnë gramafonët, politikën banditët, ekonominë mafia, mitomanët na mbahen për dijetarë, gramafonat për shkrimtarë, dhe televizionet i kemi plot me horra që mburrin veten e njëri tjetrin..Kolosët nuk vdesin, të “vdekurit” janë gjallë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: