NGA ANISA YMERI

Mesjeta e Komanit, nëse projekti aktual i linjës 400 kilovolt, ajo e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë do të zbatohej siç është aktualisht, është në rrezik. Por pas një reagimi të ashpër publik, OST-ja ka bërë një hap pas.

Është drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Z.Engjëll Zeqo i cili konfirmon për News24 se Komani nuk do të rrezikohet dhe se po shihet mundësia për spostimin e linjës së interkonjeksionit, në atë segment ku prek sitin arkeologjik të Komanit, i cili prej gërmimeve të fundit, zë një hapësirë rreth 80 hektarë.

Z. Zeqo deklaroi se këtë të martë, një grup ekspertësh nga OST-ja, 3 anëtarë të Këshillit Shkencor të Institutit të Arkeologjisë, drejtuesja e misionit arkeologjik shqiptaro-francez, arkeologia Etleva Nallbani dhe një përfaqësues i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, institucion ky në varësi të Ministrisë së Kulturës, do të shkojnë në Koman për të finalizuar në terren spostimin e linjës në afërsi të sitit arkeologjik.

Aktualisht mësohet se është bërë një plan paraprak në letër por vetëm pasi grupi i ekspertëve të ketë shkuar në terren, pritet të ketë një vendim zyrtar dhe të reflektohen ndryshimet në projektin aktual.

Por nëse OST-ja e ka bërë këtë hap pas, sepse reaksioni i komunitetit shkencor ka qenë tepër i ashpër këtë herë, Ministria e Kulturës ka preferuar të mbetet në vendimin e datës 12 dhjetor 2014 i cili i lejon OST-së vijimin e projektit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, e cila sipas specialistëve shkatërron pakthyeshmërisht sitin arkeologji, vendbanimin mesjetar të Komanit, nëse nuk spostohet në këtë segment.

Përgjatë këtyre javëve, për Ministrinë e Kulturës, kjo ka qenë një çështje e mbyllur pasi vendimi i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, i sigluar nga ministrja Mirela Kumbaro në cilësinë e kryetares së tij, bazohet në ‘Raportin e Vëshgimit Arkeologjik’, realizuar nga specialistët e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, dhe sipas këtij vendimi, linja mund të kalote në zonën ku projekti e parashikonte! Madje ministrja Kumbaro publikisht ka thënë që nuk është marrë asnjë vendim që rrezikon zonën. Por ata që e mendojnë ndryshe nga Ministrja e Kulturës, Znj. Kumbaro, ndaj edhe kanë reaguar në mbrojtje të sitit arkeologjik.

Pas këtyre vendimeve dhe deklarimeve të zyrtarëve, reagimi i drejtueses së misionit shqiptaro-francez, arkeologes Etleva Nallbani qe i ashpër, çështja u bë publike agresivisht nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë dhe disa dhjetra personalitete të jetës publike në vend, arkeologë, studiues e historianë reaguan ashpër në mbrojtje të mesjetës së Komanit.
Dhe Komani duket të jetë shpëtuar tanimë për sa kohë OST-ja është e gatshme të reflektojë ndryshime në projektin aktual dhe kësisoj qytetërimi arbëror i Komanit nuk është më në rrezik, megjithë vendimin e pandryshuar të Ministrisë së Kulturës.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb