GREQI- Komisioneri europian për Migrimin, Dimitris Avramopoulos, do të vizitojë Tiranën ditën e premte. Vizita e tij bëhet në një kohë kur mijëra refugjatë ndodhen në Greqinë veriore, në pritje për hapjen e kufijve nga vendet fqinje.

Një ditë më parë, Dimitris Avramopoulos ishte në kampin e Idomenisë në vendin e tij, në Greqi. Komisioneri përgëzoi përpjekjet e autoriteteve greke dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat iu kanë ofruar ndihmë refugjatëve të luftës.

“Ne të gjithë kemi të njëjtin objektiv: të përmbushim në mënyrë efektive nevojat të refugjatëve dhe të lehtësojmë vuajtjet e tyre. Së bashku mund të arrijmë një qasje të përbashkët vetëm duke përdorur të gjitha mjetet financiare, materiale dhe politike që kemi në dispozicion. Tani, prioritet është ndihma humanitare dhe lëvizja e tyre nga Idomenia në zona më të sigurta në Greqi ose Shtetet e tjera Anëtare”, deklaroi Avramopoulos.

Sipas Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Greqi, numri i refugjatëve në Greqi është aktualisht rreth 45,000 njerëz, të cilët 12,000 janë vendosur në Idomeni. Javën tjetër Shqipërinë do ta vizitojë ministri i Brendshëm Italian Anxhelino Alfano për të diskutuar rreth një përgjigje te përbashkët në këtë krizë. Shqipëria shpreson në ndihmë teknike dhe personeli për të ndihmuar në kontrollet policore në pikat kufitare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb