Qeveria shtyu miratimin e amnistisë fiskale për në muajin Shtator, pasi sipas Ministrisë së Financave duhet ti jepet më shumë kohë konsultimeve me grupet e interesit për ta miratuar projektligjin. Mirëpo në një raport konfidencial të siguruara nga NeWs24 në lidhje me projektligjin e amnistisë, Komisioni Europian ka pasur shumë kritika për këtë nismë të qeverisë.

Në raport thuhet se ky projektligj nuk ka pasur konsultimet e duhura me partnerët ndërkombëtarë përpara se të dërgohej në kuvend. Sipas raportit ky është një projektligj që ka një impakt të madh dhe se një urgjencë e tillë nga qeveria është e pakuptueshme.

“Projektligji nuk është pasuruar me konsultimet e duhura më të rëndësishme me palët e interesuara para se të dorëyohej në parlament, pasi projektligji ishte paraqitur në parlament më 9 Korrik. Duke marrë parasysh ndikimin e gjerë të këtij legjislacioni, urgjenva me të cilën u miratua nuk është e justifikuar. Për më tepër, ligjit të propozuar i mungon një vlerësim i nevojshëm i pasurive që do të legjitimohen dhe i të ardhurave që do të gjenerohen nga ky legjitimim.”

Në mars të vitit 2020 qeverisë shqiptare iu vendosën 15 kushte për të nisur procesin e integrimit të vendit në BE, një prej këtyre kushteve lidhet me zbatimin e sugjerimeve të organizatës Moneyval. Në raportin e saj Komisioni nënvizon se për Moneyval është tejet e paqartë se si “do të implementohet Ligji Kundër Pastrimit të Parave në kontektstin e një amnistie të tillë”.Sakaq Komisioni Europian këmbëngul se Shqipëria duhet të sigurojë dhe të veprojë në bazë të akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe ajo duhet të mos neglizhojë “legjislacionin kundër pastrimit të parave dhe rekomandimet e Moneyval”.
Në raport evidentohet gjithashtu se projektligji ka rrezik për pastrim parash dhe evazion. Ky koment i referohet nenit 13 të projektligjit i cili i jep mundësinë përfituesve të Amnistisë Fiskale jashtë Shqipërisë që të mos i kalojnë paratë përmes bankave por t’i sjellin ato cash.

“Rikthimi i pasurive neni 13 duhet të bëhet përmes transferimeve bankare ndërkombëtare në vend se të nënkuptohet që paratë cash mund të zhvendosen fizikisht.Nëse fitimiet janë jashtë vendit, transfertat e tyre në një vlerë të caktuar duhet të deklarohen në zyrën doganore në kufi. Ka një rrezik që projektligji të krijojë hapsira për evazion fiskal dhe pastrimin e parave që vijnë nga jashtë.”

Komisioni gjithashtu kritikon edhe pandëshkueshmërinë penale apo hetimin që do të vijë pas kësaj amnistie.Projektligji mundëson një mosndëshkim të padrejtë ndaj atyre që kanë mbajtur pasuri të fshehtë, lexohet në raport ndërkohë që efektet pas kësaj amnistie nuk dihen ende. Sakaq, Brukseli i ka udhëzuar kuvendit se nëse do të miratoj amnistinë fiskale duhet të adresojë pikat e ngritura në këtë raport.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: