Për 45 minuta me radhë anëtarët e Komisionit Hetimor të zgjedhjeve të 25 prillit është shoqëruar me debate mes opozitës dhe përfaqësuesve të maxhorancës, pasi nuk po dakordësohen për rendin e ditës dhe rregulloren.

Në vazhdën e këtyre diskutimeve, përfaqësuesi i PD-së, Gazmend Bardhi tha se maxhoranca nuk mund të vendos se kush do të thirret dëshmitar në këtë komision, apo të ndryshojë rregulloren përmes forcës së kartonëve.

Në këtë linjë ishte dhe deputeti Oerd Bylykbashi, i cili bëri të qartë se nuk do të ndryshojë ligji që përcakton përmbajtjen e këtyre komisionve, i cili është miratuar nga Kuvendi. Ndërkohë, nënkryetari i këtij komisioni, Toni Gogu, që përfaqëson PS-në, tha se maxhoranca një orë e më parë pret të nis diskutimi për rendin e ditës dhe të çelet sa më parë hetimi.

PJESË NGA DISKUTIMI
Bardhi:
Zoti Kryetari po diskuton rregulloren, por e respekton. Na diktoni se kë do të thërrasim dëshnitar, me votë shumice. Ju kujtoj se ky komision është ngritur me kërkesë të pakicës parlamentare, është e drejtë kushtetuese e tyre. Nëse ju doni që me forcën e kartonit të na diktoni se këtë të thërrasim ne. Është kërkuar nga komisioni thirrja si dëshmitar, kryetari juaj, kryeministri Edi Ram. Ne nuk mund të bashkëjetojmë në një sallë ku shkelet ligji. Jeni këtu se ju ka caktuar partia për të mbrojtur vjedhjen e zgjedhjeve. Ju hetoni çfarë të doni, ne do të hetojmë ça duam. Nuk na diktoni dot. Nuk bëhet çdo gjë me forcë kartoni, se kush janë veprime të ndërmjetme e përcakton ligji. Traditën parlamentare, eksperiencën ndër vite të marrë nga Kuvendi, do të duhet ta respektojmë. Kemi 45 minuta dhe nuk kemi hyrë në rendin e ditës.

Bylykbashi: Ndoshta duhet të qartësojmë pak idetë se për çfarë është ky ligj. Ky nuk është komision bipartizan, ato janë përdorur për reformën zgjedhore. Ky komision drejtohet nga ai që e ka kërkuar krijimin e komisionit. I vetmi deputet që ka qenë në atë kohë, ka qenë deputeti Koçi. Ky ligj është hartuar për të rregulluar hetimin e zgjedhjeve. Ky ligj është bërë vetëm për atë. Ky ligj është bërë për të hetuar zgjedhjet. Më pas çështjet e tjera. Praktika që vendosi ky ligj për marrjen e provave, për hetimin e zgjedhjeve, pa u penguar, është e konsoliduar për hetimin e tyre. më pas le të vendosë maxhoranca dhe të dalë me raport dhe të thotë; ne nuk i vodhëm zgjedhjet. Provën s’ja merr dot askujt. Gjykata Kushtetuese ka caktuar5 qartë, përkundër tentativave tuaja për të bllokuar komisionet hetimore, e cila i ka dhënë të drejtë pakicës të ngrejë komisione. Ju po kërkoni që me rregullore të ndryshoni ligjin. Këto ë kërkoni ju, nuk ekzistojnë në rregullore. E vetmja arsye është se kërkoni e një rregull procedurial, në kundërshtim me ligjin, që të bllokoni marrjen e provave. Harrojeni se në këtë komision do të vendoset precedenti që me votim, si maxhorancë të ndryshoni ligjin. Nëse keni siklet për këtë hetim parlamentar, edhe në 2005 nuk ka qenë ky rregull që kërkoni ju. Provat janë marrë të lira, të papenguara. Nuk mundet që ky komision të ndryshojë një ligj që e ka miratuar parlamenti.

Vasili: Meqë këtu pretendohet që mos të bëhet politikë, në fakt bëhet, më shumë. Është e qartë se është një pozicion i caktuar, nuk ka surpriza. Njerëzit që na ndjekin duan të dinë se çfarë thotë ligji. Nuk ka bashkëdrejtim të komisionit. Mbledhjet thirren dhe drejtohen nga kryetari i komisionit.

Gogu: Zoti kryetar, ju rikujtoj që mbarëvajtja e mbledhjes nuk po sigurohet nga drejtimi juaj. Zoti Bardhi, zoti Bylykbashi dhe zoti Vasili kanë nisur dhe po bëjnë diskutimin në parim, dhe po diskutojnë për nene përkatëse. Minutazhi që po vinii në dispozicion, i shërben akuzave, madje fryrjeve, etiketimeve, si; idiotësi, dëngla, bllokues, dhe gjuha trupore që e miraton këtë gjë përkundrejt anëtarëve tanë. Kemi zgjedhur qe të heshtim. Duam të çelim një orë e më parë hetimin. Kemi ardhur këtu si parlamentar që të hetojmë dhe të miratojmë rregullat e brendshëm. Nëse do çelni në parim rregullat e rregullores, deklarojeni. Nëse keni vendosur që të caktoni de-facto një zëvendëskryetar tjetër, ju kujtoj se jemi duke pritur. Ka 45 minuta ku presim të miratojmë në parim rregulloren.

Alibeaj:
E kuptoj se kam atakime si nga e majta dhe e djathta, por kam një mburojë të madhe, ligjin dhe të drejtën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb