TIRANË- Heqja e ligjit anakronik të luftës, do të çlironte energji pozitive për marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë, tha të mërkurën në Komisionin e Punëve të Jashtme, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko.

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirko u shpreh se marrëdhëniet me Greqinë janë në bazë mirëkuptimi dhe po tentohet që të lihet pas e shkuara. “Jemi duke kërkuar një bazë mirëkuptimi të gjerë. Të dy vendet ndajnë vlerësime pozitive për strategjinë e përbashkët të bashkëpunimit. Tashmë axhenda jonë e përbashkët nuk përmban tabu. Problemet nuk duhet të përcaktojnë marrëdhëniet tona, por ato duhet të trajtohen në bazë të natyrës së tyre dhe realitetit që jetojmë, pa u ndikuar nga e shkuara. Vijojnë diskutimet për zgjidhjen e çështjeve të mbetura nga e shkuara dhe vlerësoj si thelbësore heqjen e ligjit anakronik të luftës, si bazë për çlirimin e një energjie tejet pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve. Një energji, që do e shtrinte marrëdhënien tonë në një plan tjetër edhe më pozitiv”, tha Qirko.

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade pas kësaj fjale, kërkoi vijimin e punimeve të komisionit pa praninë e mediave.

REAGON IDRIZI, DENONCON MBLEDHJEN E KOMISIONIT TE JASHTEM
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi denoncoi në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme, një konferencë shkencore të zhvilluar nga Ministria Greke e Jashtme, mbi çështjen çame dhe apatinë e palës shqiptare.

“Nga kjo konferencë dalin disa përfundime, të cilat nuk mund t’i anashkalojmë. Së pari, del qartazi se shteti grek jo vetëm e di që çështja çame është një çështje për t’u zgjidhur, por po merr të gjitha masat që të ketë argumentet ligjore dhe historike kundër saj. Në këtë pikë, nuk prisja ndonjë qëndrim tjetër nga Greqia. Mirëpo, kjo rrëfen se shteti shqiptar nuk është në lartësinë e duhur. Nuk ka asnjë konferencë shkencore, të organizuar nga ju për çështjen çame, për të krijuar një dosje të plotë dhe serioze me argument të forta juridike dhe historike përballë Greqisë. Qoftë edhe një konferencë, në të cilën të marrin pjesë edhe këta përfaqësues grekë, për të ballafaquar qëndrimet. Së dyti, Ministria e Jashtme Greke, zyrtarisht përdor një term irredentist, Vorio Epirin. Është fakt se Çamëria është një territor gjeografik, që shtrihet në dy shtete sot, me shumicë shqiptare dikur. Ndërkohë, Vorio Epiri nuk është territor gjeografik, është një shpikje politike e vitit 1914, që tenton të karakterizoj trojet që shteti grek rivendikonte Brenda shtetit shqiptar.

Pra, është një term irredentist, i papranueshëm për dy shtete që kanë një traktat miqësie dhe që janë pjesë e një aleance ushtarake. Ministria e Jashtme duhet të kundërveprojë menjëherë përballë këtij precedenti të rrezikshëm të përdorimit të një termi irredentist, që cënon tërësinë tokësore të Shqipërisë. Në këtë kontekst, kam edhe një pyetje të fundit: a ka pasur përfaqësues të shtetit shqiptar në këtë konferencë?”- tha Idrizi. Ndër të tjera Idrizi kërkoi nga MPJ të zhvillojë konferenca mbi çështjen çame, të zgjidhet çështja e toponimeve dhe ajo e kufijve detarë në favor të interesave kombëtare.

(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb