TIRANË- Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare mirëpriti sot një delegacion të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës të kryesuar nga Daut Haradinaj.
Gjatë takimit, anëtarët e të dy komisioneve biseduan rreth arritjeve dhe sfidave të dy vendeve në fushën e sigurisë, ndërsa theksuan rëndësinë e bashkëpunimit, veçanërisht në përmirësimin e kuadrit legjislativ.
Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho tha se gjatë këtyre sesioneve, ky komision ka qenë i angazhuar në disa drejtime, por kryesisht, në ato që kanë të bëjnë me reformimin e ligjeve në sektorin e mbrojtjes, pasi pas vitit 2009, Shqipëria është pjesë e NATO-s.
“Ka qenë e domosdoshme që të ndryshojë i tërë legjislacioni në fushën e mbrojtjes. Po ashtu, komisioni ka zhvilluar një aktivitet të rëndësishëm dhe në legjislacionin për policinë. Jemi angazhuar në shqyrtimin e mjaft marrëveshjeve të rëndësishme”, tha Braho, i cili shtoi se për interesat e sigurisë kombëtare, pozita dhe opozita në Shqipëri arrijnë të gjejnë dakordësinë në vija të përgjithshme.
“Bëjmë debate, bëjmë dialog, por qëllimi në fund është një. Përgjithësisht ka një vlerësim pozitiv për punën e Komisionit të Sigurisë. Do të dëshironim që në kuadër të shkëmbimeve dypalëshe të japim dhe të marrim përvojë”, tha Braho.

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të delegacionit të Kosovës në Kuvendin e Shqipërisë. “Ka qenë një ëndërr e kahershme e të dy palëve që ne të takohemi në këtë lloj forme. Kjo u arrit dhe për ne është kënaqësi për të dy palët. Një komb i copëzuar përfundimisht sot ka gjetur të drejtën e tij dhe Kosova është e pavarur, e lirë, demokratike dhe po ecën me hapa të shpejtë drejt integrimit qoftë në BE, por edhe drejt integrimit në NATO. Shqipëria duke qenë se ka ecur në këtë aspekt dhe duke qenë anëtare e NATO-s, ne jemi bashkë pozitë dhe opozitë që të mbështesim Kosovën në çdo hap, tha Noka.
Noka vlerësoi se do të ishte një arritje e madhe për Kosovën që të ketë ushtrinë e saj, duke theksuar se “Kosova me një ushtri dhe një polici të fortë është garanci për stabilitetin jo vetëm të vendit, por është garanci për sigurinë e rajonit”.
Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Daut Haradinaj vlerësoi avancimin Shqipërisë në fushën e sigurisë, ndërsa njohu anëtarët e Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë me disa nga sfidat që ka Kosova.
“Ne si Kosovë e kemi vitin më të rëndësishëm që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe kjo është transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Detyrimisht ky avancim kërkon edhe ndryshime kushtetuese. Po ashtu është edhe paketa ligjore që ne mendojmë që shteti më i mirë prej nga ne duhet të marrim shembull është Shqipëria. Dhe si komision që do të na bjerrë barra për të bërë këto përgatitje ligjore, ne kërkojmë që të na ndihmoni me ide dhe këshilla, sepse ju e keni kaluar këtë rrugë dhe natyrisht që gjithkund po hasin në mbështetje. Si anëtare e NATO-s, Shqipëria mund të kontribuojë jashtëzakonisht shumë që edhe shtetet e NATO-s të kuptojnë që Kosova me ushtri është garantuese e stabilitetit dhe jo rrezik”, tha ndër të tjera gjatë takimit Haradinaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb