Pensionistët që përfitojnë kompensim të energjisë elektrike dhe nuk e kanë përfituar ende atë, kanë afat deri me 25 qershor për të aplikuar. Këto ditë ka hyrë në fuqi udhëzimi i 3 ministrive për shtyrjen deri në qershor të afatit për përfitimin e kompensimit të energjisë. Udhëzimi i ministrit të Energjisë, ministrit të Financave dhe ministrit të Mirëqenies Sociale u botua në Fletoren Zyrtare dhe ka marrë fuqi ligjore. Sipas këtij udhëzimi, qytetarët tashmë do të kenë afat deri në 25 qershor dhe jo deri në fund të muajit prill, për dorëzimin e dokumenteve që nevojiten për përfitimin e këtij kompensimi. Një tjetër risi për të gjithë pensionistët që plotësojnë dokumentacionin për të përfituar kompensimin është fakti se nuk iu duhet më që të sjellin vërtetimin e personave të punësuar ose jo në familje, pasi këtë procedurë do ta bëjë vetë Instituti i Sigurimeve me Shërbimin Kombëtar të Punës. Në udhëzimin e parë të ministrave parashikohej që për çdo kategori përfituesish, në dokumentacionin e nevojshëm duhej që për anëtarët madhorë të familjes të paraqitej një vërtetimin nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë.
FONDI I PARASHIKUAR
Fondi për kompensimin e shtresave në nevojë, parashikuar në buxhetin e vitit 2015 është 1.600 milionë lekë dhe në këtë zë përfshihet edhe fatura e kompensimit të energjisë elektrike. Ministria e Financave ka sqaruar se janë kryer pagesat për muajin shkurt (kur paguhet kompensimi i muajit janar 2015) dhe kanë marrë kompensimin nga zyrat e sigurimeve shoqërore në
mbarë vendin 81 mijë e 700 pensionistë. Për muajin mars (kur paguhet kompensimi i muajit shkurt 2015) janë paguar 82 mijë e 200 pensionistë. Gjithashtu, janë paguar edhe kompensimet e
energjisë elektrike për muajin prill (i takojnë energjisë së konsumuar në mars 2015) dhe vijojnë të paguhen ende për të gjithë ata persona që tërheqin pensionin në zyrat përkatëse. Sipas Ministrisë së Financave, shuma totale e paguar deri në këtë periudhë është 173 milionë lekë.
PAGESAT
Të gjithë pensionistët që përfitojnë këtë kompensim, pavarësisht se mund të mos e kenë përfituar deri tani për shkak të mosplotësimit të dokumentacionit ligjor, e përfitojnë të plotë, pra për të gjithë muajt duke filluar nga janar 2015, pavarësisht se në cilin muaj e dorëzojnë dokumentacionin e plotësuar. Ministria sqaron se kur një person e dorëzon dokumentacionin e tij në maj, ai përfiton të gjithë kompensimin e muajve janar-maj 2015.
PËRFITUESIT
Në vendimin e qeverisë përcaktohen procedurat për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 kilovat/orë në muaj. Shuma që secili prej këtyre kategorive që do të marrë si shtesë automatike në pagesën e familjes së vet është 6480 lekë në muaj. Janë 203.928 familje në nevojë, që do të marrin shtesë të drejtpërdrejtë të përmuajshme, të pensionit, pagesës për aftësinë e kufizuar apo ndihmës ekonomike.
NDRYSHIMET E REJA
Një nga ndryshimet në udhëzimin e ri të ministrave bëhet për dokumentacionin e familjeve, që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar. Sipas udhëzimit të ri, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar së bashku me deklaratën, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit, certifikatën familjare që vërteton se personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar, fotokopje të librezës së energjisë elektrike. Ndërkohë, përsa i përket kategorisë përfituese, siç është ajo e kryefamiljarëve punonjës buxhetorë me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, në udhëzimin e ri parashikohet që marrëdhënia e punësimit apo vetëpunësimit të anëtarëve të familjes vërtetohet përmes deklarimit nga përfituesi dhe në vazhdimësi do të jetë objekt i verifikimit nga institucionet në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
SHIFRAT E FINANCAVE
Për të qenë më konkretë, për muajin shkurt (kur paguhet kompensimi i muajit janar 2015) janë paguar nga zyrat e sigurimeve shoqërore në mbarë vendin 81 mijë e 700 pensionistë. Për muajin mars (kur paguhet kompensimi i muajit shkurt 2015) janë paguar 82 mijë e 200 pensionistë. Janë paguar gjithashtu edhe kompensimet e energjisë elektrike për muajin prill (i takojnë energjisë së konsumuar në mars 2015) dhe vijojnë të paguhen ende të gjithë ata persona që tërheqin pensionin në zyrat përkatëse. (Listën me dokumente që duhen për kompensimin e gjeni sot në Gazeta Shqiptare print) 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb