Ish-drejtore e Përgjithshme e Arkivës, Nevila Nika foli për kompensimin e pronave, dhe rolin e Arkivit Qendror Shtetëror dhe ruajtjen e të dhënave.
Gjatë kësaj interviste, Nika theksoi se është bërë një punë shumë e madhe, ndonëse në disa vite për shkak të zhvillimeve apo tensioneve që kanë përfshirë vendin, disa dokumente edhe mund të jenë humbur.
Më tej shtoi se Ministria e Drejtësisë duhet të kishin bllokuar hipotekat, dhe se zyra e Kadastrës ka pësuar një rrugëtim të mundimshëm dhe se në çdo lëvizje ka humbje.
“Arkivi Qendror Shtetëror dhe arkivat vendor shtetëror në të gjitha qarqet u vunë në dispozicion në problemin e pronave. Arkivisti nuk ndërhyn, nuk jep shpjegim në dokument. Pra ne i shërbyem pafund qytetarëve kudo që ishin. Shkodra është nga qytetet që kishte më pak kërkesa. Jugu ka më shumë lëvizje, Tirana Durrësi Vlora janë qytete që janë populluar edhe më të ardhur nga krahina të Shqipërisë. Dhe punë që ka bërë Arkivi qendror ka qenë e jashtëzakonshme. Ajo që na bënë përshtypje ka qenë që nga agjencia e kompensimit të pronave na vinte për një familje shumë herë kërkesa. Ajo që na vinte keq ishte që kishte shumë qytetarë që vinin dhe ne nuk mund t’i gjenim. Nga ’95 kur morën për herë të parë noteritë e Tiranës, vumë re që mungonin regjistra noteriale të viteve kur ka nisur transformimi i Tiranës, kishin humbur, ishin djegur. Në 2007 këmbëngulëm t’i mblidhnim nga të gjithë rrethet, dhe arritëm një marrëveshje me dhomën kombëtare të noterëve për t’i grumbulluar kudo që t’i gjenim. U gjetën në gjykata, në Tiranë, Vlorë, Kavajë… Në Kavajë, ‘na erdhën sikur i kishte mbajtur në farmaci’, të mbajtura shumë mirë. Deri në vitin ’90 askush nuk mendonte se do ta merrte pronën. Kishte humbur çdo shpresë se do kishte ndonjë ndryshim. Ne e digjitalizuam të gjithë këtë që nxorëm. Por janë me miliona dokumente të kaluara në dorë që janë kontrolluar faqe për faqe për të nxjerrë një emër. Në vitin ’95 kemi pasur 11 mijë kërkesa vetëm të shtypje përgjigje. Për veriun jam detyruar të lexoj Kodin Civil”, tha ajo.
