Qendra STREHA, një shërbim rezidencial për të rinjtë LGBTI që përballen me dhunë, paragjykim e diskriminim dhe që janë të pastrehë për shkak të orientimit seksual, organizoi sot për herë të parë në qytetin e Kavajës një takim informues rreth çështjeve të LGBTI.

Në këtë takim, i pari i këtij lloji në qytetin e Kavajës, i njohur si një qytet konservator e ku feja luan rol aktiv në çështjet sociale, morën pjesë 18 përfaqësues të shërbimeve publike, arsimit, shëndetësisë, policisë dhe Bashkisë.

Aktiviteti pati mbështetjen e plotë të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, z. Elvis Roshi.

Marsida Cela, drejtore e Strehës, i njohu pjesëmarrësit me natyrën e shërbimit,  problematikën që përballen përfituesit e shelterit LGBTI dhe u konsultua me profesionistët për ngritjen e një mekanizmi referimi të rasteve që janë në risk përjashtimi social për shkak të orientimit seksual.

“Dhuna në familje, vazhdon të mbetet një ndër sfidat kryesore të komunitetit LGBTI”, tha ajo.

Prej disa muajsh specialistët e Strehës, kanë filluar një proces informimi dhe konsultimi me të gjithë përfaqësuesit e shërbimeve në 12 qarqet kryesore te vendit. Gjatë këtyre vizitave ata kanë patur mundësi të zhvillojnë takime edhe me shumë pjesëtarë të komunitetit LGBTI të cilët jetojnë në fshehtësi dhe me frikën e dhunës për shkak të mentalitetit të zonave larg Tiranës.

Që nga dhjetori i vitit 2014, rreth 14 përfitues, të rinj e të reja të komunitetit LGBTI kanë patur mundësi të përfitojnë nga ky shërbim. Atyre u ofrohet jo vetëm akomodimi dhe ushqimi, por mbi të gjitha ndihmë psiko-sociale, si dhe asistohen të ri-integrohen në jetë e në familjet e tyre si dhe të punësohen, ose në raste të tjera të ndjekin rregullisht studimet në shkollë.

Streha e themeluar nga dy organizatat “Aleanca LGBT” dhe nga “ProLGBT” është shelteri i parë i këtij lloji në të gjithë Europën Juglindore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: