Presidenti Ilir Meta iu është bashkuar urimeve me rastin e festës Kombëtare të Zvicrës. Përmes një mesazhi drejtuar homologut të tij, Guy Parmelin, kreu i shtetit thekson rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Meta vlerësoi faktin se Zvicra i ka dhënë mbështetje në vijimësi Shqipërisë dhe shqiptarëve, si nëpërmjet donacioneve, asistencës teknike, programeve zhvillimore, ashtu edhe nëpërmjet investimeve të drejtpërdrejta.

MESAZHI I METËS
????? I nderuar President, Sh.T.Z Guy Parmelin,

Me rastin e Ditës së Themelimit të Konfederatës Zvicerane, më lejoni, që në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të mira e të sinqerta për Ju dhe të gjithë qytetarët e Zvicrës.

Jam shumë i kënaqur të konstatoj nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe qytetarëve tanë, të cilat veçanërisht vitet e fundit, janë zhvilluar qëndrueshëm, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik e kulturor dhe njëkohësisht të shpreh besimin se ecuria e këtyre marrëdhënieve do të jetë edhe më e suksesshme në të ardhmen.

Dëshiroj të shpreh sërish mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen e vyer, që Zvicra i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë dhe shqiptarëve, si nëpërmjet donacioneve, asistencës teknike, programeve zhvillimore, ashtu edhe nëpërmjet investimeve të drejtpërdrejta, që kanë ndikuar në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të vendit, në procesin e decentralizimit dhe rritjen e kapaciteteve lokale, por sidomos në zhvillimin dhe përmirësimin e arsimit profesional.
Vlerësoj, me këtë rast, rolin e komunitetit shqiptar me banim në vendin Tuaj, i cili përbën një urë të fuqishme dhe të qëndrueshme në miqësinë dhe në të gjitha aspektet e bashkëpunimit dypalësh, si dhe shpreh mirënjohjen për mikpritjen dhe mundësitë, që Zvicra i ka krijuar këtij komuniteti për t’u integruar e njëkohësisht për të kontribuar për zhvillimin dhe përparimin e vendit Tuaj.
Me urimet më të mira për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Zvicrës dhe qytetarëve të saj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb