NGA ERJON SKENDAJ

TIRANE- Koncesionet në shëndetësi shihen nga opozita si një atentat që qeveria e majtë po i bën sistemit shëndetësor publik. Në një intervistë të zgjeruar për “News 24” ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu, njëherazi Kreu i Departamentit për Çështjet Shëndetësore në PD, rendit disa nga arsyet se përse këto koncesione në shëndetësi nuk duhen nënshkruar nga mazhoranca.

Tritan Shehu: Qeveria e majtë shqiptarë në këtë periudhë nuk është se ka nisur hapa reformash në shëndetësi. Sot në këtë periudhë në nivelin e shëndetësisë kemi dy elementë, ose stanjacion, ose antireformë. Kemi koncesione të tilla që po realizohen e që nuk japin asnjë rentabilitet dhe profit klinik, veçanërisht duke u bazuar në financimet gjigande që po bëhen për privatin. I tillë është i shumëpërfoluri koncensioni për kontrollin bazë të popullatës 40-65 vjeç ku shteti duhet të paguajë në një periudhë 10-vjeçare një shumë afër 130 milion euro duke filluar nga minimalja 6.5 milion euro dhe duke shkuar në 12-13 milion euro në vit një kompanie private për një shërbim që realisht nuk do të ketë asnjë rentabilited dhe përmirësim të indekseve të shëndetit të popullsisë. Veçanërisht duke u vënë përballë kësaj kostoje gjigande e cila mund të shfrytëzohej shumë mirë për të përmirësuar rrënjësisht sistemin parësor shqiptar, apo shumë sektorë të tjerë të shëndetësisë me një rentabilitet mijëra herë më të madhe sesa ky shpenzim që po bëhet për chek-up, në thonjëza, që nuk e gjej në asnjë nga vendet europiane, në asnjë nga vendet e përparuara pasi nuk ka racionalitet dhe rentabilitet klinik.
E dyta kemi pastaj koncesionin që sapo është mbyllur procedura e dorëzimit të dokumentacionit për instrumentet që përdoren në sallat e operacionit me një kosto që shkon në 95 milion euro në 10 vjet dhe që do të kërkohet që t’i jepet një kompanie private për të gjitha spitalet e vendit. E treta është koncesioni për rreth 65 milion euro për sistemet e dializës dhe resurset publike që po kështu do ti jepen me koncension privatit. Më tej flitet për të dhënë me koncesion laboratorët dhe më tej akoma edhe shërbimin e imazherisë të qendrave spitalore.

Janë financime të mëdha që i jepen privatit për të kryer shërbime. Nëse flasim për çështjen e sterilizimit në QSUT ekziston një repart supermodern sterilizimi për të cilin është financuar nga ish-qeveria e djathtë 1.5 milion% euro por që nuk është vënë ende në punë dhe gjëja më e mirë do të ishte që të ishin dërguar 4 apo 5 specialistë ta vinin në punë këtë repart dhe ti shërbente me shumë eficencë QSUT apo edhe spitaleve të tjera të Tiranës.

Duke i vlerësuar koncesionet monopole në shëndetësi Shehu thotë se rreziku më i madh është centralizimi që qeveria po i bën sektorit duke shuar pak nga pak autonominë spitalore dhe rritur kostot e shërbimit.
Prof dr Tritan Shehu, Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD.

Tritan Shehu: Mënyra e dhënies me koncesion të të gjitha shërbimeve të njëjta në nivel nacional një kompanie private për mua krijon një rrezik edhe më të madh, krijon një monopol të kompanive private që në këtë mënyrë kontrollojnë sistemin shëndetësor publik duke bërë së paku rritjen e kostos. Duke shkuar në ekstrem me këto elementë siç po shkohet ne krijojmë një thërrmim të spitalit duke dëmtuar për mendimin tim shërbimin klinik ndaj të sëmurit por edhe duke rritur koston e shërbimit të spitalit të cilën e bëjmë më pak të matshme në këtë mënyrë edhe me sistemin e ri të kostos që me të drejtë sot po punohet për ta futur në Shqipëri që është sistemi DRG.

Ti privosh qendrave spitalore në mënyrë arbitrare me vendime ministeriale dhe qeveritare dhe jo të vendosura nga bordi i tyre apo nga ata vetë të shërbimeve thelbësore siç janë laboratori, imazheria duke ia kaluar ato privatit do të thotë të dëmtosh rëndë funksionet e qendrave spitalore universitare.

Shehu ka komentuar edhe deklaratat e ditëve të fundit të ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj në komisionin parlamentar të shëndetësisë në lidhje me arsyet e dhënies së shërbimeve të caktuara shëndetësore privatit, argumentuar me faktin se këto shërbime janë jo funksionale siç duhet, të amortizuara dhe mbartin një kosto të madhe humbjesh në buxhetin për shëndetësinë e që sipas Beqajt konsiderohet shumë më e lartë krahasuar me paratë që do të përfitojnë kompanitë koncesionare.

Tritan Shehu: Mua më bëhet qejfi që ministri ka bërë kapërcime të tilla ideologjike, sepse kur ne diskutonim sëbashku me të dhe debatonim në fushatën elektorale të kaluar ministri Beqaj e konsideronte privatin një armik dhe e shikonte si një gjë të huaj në sistemin shëndetësor shqiptar, flas në tërësi për filozofinë e të majtës që është sot në qeverisje dhe jo thjesht për konceptet e një drejtuesi. Por kalimet nuk bëhen diametralisht të kundërta pasi të dy ekstremet janë të rrezikshme.

Për ish-ministrin e Shëndetësisë në vitet 92-96 filozofia e koncesioneve në shëndetësi, që ka nisur të aplikohet nga Ministria e Shëndetësisë bie në kundërshti dhe me vetë programin e partisë socialiste.

Tritan Shehu: Unë jam për të qenë gjithnjë këmbëngulës dhe shtytës në konceptin që spitali publik duhet ti afrohet spitalit privat në fushën e menaxhimit, të decentralizimit dhe në fushën e konceptit ndërmarrje. Kjo cënohet rëndë nga politikat centraliste të ministrisë së shëndetësisë çka bie ndesh edhe me vetë programin që unë kam lexuar e që ka paraqitur qeveria e majtë ku thotë se kërkon të ecë drejt spitalit ndërmarrje. Në këtë mënyrë nuk ecet drejt spitalit ndërmarrje. Ecim drejt një gjysmë spitali të centralizuar tërësisht nga qeveria.
Pastaj , shëndetësia falas është një tjetër spekulim dhe gënjeshtër e majtë. Duke dalë me këtë gënjeshtër qeveria nuk po bën asnjë rritje të kontributeve direkte të popullsisë ndaj sistemit sigurativ për të rritur buxhetin shëndetësor, në një kohë që buxheti i shëndetësisë shqiptare është buxheti më i ulët në Europë. Ne sot financojmë për shëndetësinë shqiptare rreth 285 euro për frymë popullsie në vit kur Maqedonia e ka mbi 590 euro për frymë popullsie në vit. Dhe pikërisht këtu qëndron handikapi i madh që ka krijuar gënjeshtra e shëndetësisë falas sepse ka bërë që të mos bëhet asnjë përpjekje në domosdoshmërinë e rritjes së kontributeve shëndetësore që është 3.4%, po aq sa e kam lënë unë si ministër në vitin 1993, kur sot do të duhej të ishte minimalja 7% sikundër e vendosi Kosova në 1 janar, Maqedonia e ka 7.4% për të shkuar drejt 12%. Nga ana tjetër edhe këto pak para që kemi i keqpërdorim. Harxhojmë qindra miliona euro për koncesione të tilla siç është chek-up, apo investojmë në të ashtuquajturat koncesione me privatin që nuk stimulojnë sistemin shëndetësor publik.

Bashkëfinancimi i paketave mjekësore sipas Shehut duhet të shihet si një zgjidhje për të ardhmen e sektorit shëndetësor.

Tritan Shehu: Unë do të thoja që sot ka rrugë të tjera më racionalë për të forcuar rrolin e privatit në sistemin shëndetësor shqiptar. E para, duke i konsideruar spitalet private që janë në Shqipëri si pjesë të sistemit shëndetësor shqiptar. Që i sëmuri të shkojë qartësisht dhe lirisht në çdo spital publik apo privat të akredituar dhe të paguhet ai spital për shërbimin që ofron nga Fondi i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor përmes indekseve të kostos, të plota ose parciale. E dyta, ministria e shëndetësisë duhet të legjitimojë bashkëpagesën si një element nxitës për privatin. Politikat e ministrisë që e ndalojnë bashkëpagesën e asfiksojnë privatin. Bashkëpagesa nënkupton që një pjesë të shërbimit e mbulon fondi i sigurimeve dhe pjesën tjetër vetë pacienti për aq kohë sa do të duhet që fondi ta paguajë të plotë paketën. Duke ia dhënë privatit sterilizimin e të gjitha instrumenteve të të gjitha spitaleve të republikës MSH forcon një monopol privat që nesër kontrollon gjithçka dhe nuk krijon konkurrencën brenda sistemit spitalor duke lejuar çdo spitali që të vendosi vetë dhe çdo spitali të bëri vetë rregullat se me cilët do lidhet si do ti zgjidhi problemet. Ministria e shëndetësisë përcakton politikat përmirëson kuadrin ligjor, kontrollon që të mos ketë spekulime po nuk duhet të jetë MSH që të menaxhojë procese të tilla.

Edhe pse është kategorikisht kundër koncesioneve në shëndetësi ish-ministri ka mendim tjetër në lidhje me privatizimin e institucioneve shëndetësore publike, nëse këto të fundit kanë tregues jo pozitiv në shërbim dhe menaxhim.

Tritan Shehu: Mua nuk më tremb privatizimi i spitaleve. Nëqoftëse është e nevojshme ne mund të privatizojmë institucione shëndetësore. Nëse shikojmë që ka institucione shëndetësore që po bëjnë kolaps, që nuk zhvillohen, që nuk kanë të ardhme absolutisht që mund të futen në rrugën e privatizimit. Këtë eksperiencë e ka patur dhe e aplikon me shumë sukses Çekia në vitet e transformimit të sistemit të saj shëndetësor pas komunizmit. Por përpara kësaj duhet që spitalet t’i futim në rrugën e autonomisë, në rrugën e spitalit ndërmarrje, t’i fusim në hapësirën e konkurrencës, dhe vetëm pastaj duke gjykuar në një hapësirë konkurrence midis tyre, brenda një sistemi ku bën pjesë si publiku dhe privati mund të gjykohet se kush janë ato institucione që mund të privatizohen tërësisht, kush janë institucionet që mund t’i jepen në menaxhim privatit cilat institucione mund të kërkojnë që të drejtohen sipas modelit partneritet publik – privat. Por këto nuk bëhen me urdhra nacionale të ministrisë dhe ministrit të shëndetësisë sepse dalin jashtë funksionit të tyre. Këto bëhen në një zhvillim normal të natyrshëm, të lirshëm konkurrencë brenda institucioneve shëndetësore dhe ky duhet të jetë hapi i dytë.

Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD deklaron se koncesionet e lidhura nga shumica në pushtet do të bëhen nul sapo të ndodh rotacioni politikë, ndërsa apelon firmat private që të tregojnë maturi dhe të mos bëhen pjesë e procesit të cilin e cilëson antireformë shëndetësore.

Tritan Shehu: Unë e kam thënë dhe e them qartësisht pozicionin e Partisë Demokratike dhe të opozitës. Ne i konsiderojmë politikisht dhe në çdo aspekt tjetër të gabuara këto elementë që realisht flasin për politika diametralisht të kundërta nga politikat që kërkon shëndetësia shqiptare. Ne i kemi atakuar që në ditën e parë që janë thënë politikisht, pasi detyra e opozitës kjo është të ngrejë problemet. Nga ana tjetër unë e them në mënyrë të qartë, të afirmuar, zyrtare se ne nuk do ti njohim këto koncesione, këto iniciativa edhe nëse do të nënshkruhen dhe do të realizohen marrëveshjet. Menjëherë pas rotacionit politik në Shqipëri absolutisht do të jenë të gjitha të nulifikuara. Dhe me këtë unë dua të paralajmëroj edhe kompanitë private, të cilat për interesa të tyre që unë i kuptoj hyjnë në këto zhvillime, që me të ndodhur rotacioni politik në Shqipëri ne absolutisht do t’i atakojmë të gjitha kontratat e bëra në këtë mënyrë, sepse jemi të bindur që këto nuk i shërbejnë zhvillimit linear racional të sistemit shëndetësor shqiptar por përkundrazi e fusin në një qorrsokak duke e bërë edhe më të vështirë zhvillimin e tij.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb