Diskutimet paraprake sot në Luksemburg, teksa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbeten në pritje të datës për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE.

Ministri i Sllovakisë Martin Klus deklaroi sot se do diskutohet për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë

“Uroj të kemi rezultate të mira. Duhen lajme të mira për besueshmërinë në BE”, deklaroi ministri sllovak

Edhe sekretari i shtetit në ministrinë e jashtme të Sllovenisë, Dovzan tha se shpreson për diskutime të mira rreth zgjerimit.

Përfaqësuesja e Portugalisë, Zacarias u shpreh se zgjerimi është një temë me rëndësi
“Do debatojmë për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Do diskutojmë ku jemi me procesin e zgjerimit”, tha Zacaria.

Përfaqësuesi i Irlandës Tomas Byrne gjithashtu theksoi se zgjerimi është çështje kyçe dhe për ta.
“Presim me padurim progres lidhur me procesin e zgjerimit”, tha Byrne.

Këshilli Evropian pritet të vendosë data për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE. Pas mbledhjes së sotme në Luksemburg, pritet të zhvillohen diskutime në Bruksel në datat 24 dhe 25 qershor.

Bullgaria vijon të këmbëngulë në veton ndaj Shkupit, gjë që mban peng Maqedoninë e Veriut dhe nuk i jep dritën jeshile për integrimin evropian. Ky vendim i Bullgarisë pengon edhe Shqipërinë sepse thuhet se vendimi do të jepet për të dyja shtetet.

Ndërkohë, para disa javësh, Holanda i dha dritën jeshile Shqipërisë që të nisë bisedimet për anëtarësim. . Pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të marsit ku partia e kryeministrit, Mark Rutte fitoi mandatin e katërt për të udhëhequr vendin, Holanda ka vendosur t’i japë vëmendjen e saj maksimale proceseve integruese.

Vendi më skeptik i BE-së duket se është bindur tashmë që Shqipëria ka bërë progresin e mjaftueshëm për t’u ulur me zyrtarët e evropianë e për të nisur zyrtarisht bisedimet për anëtarësim.

Në mbledhjen e Parlamentit holandez u diskutua gjerësisht çështja e Shqipërisë dhe fati i saj për vijimin e rrugëtimit integrues ku u vendos të hiqet trau bllokues për mbajtjen e Konferencës parë Ndërqeveritare me vendin tonë pas miratimit të kuadrit negociator. Ambasada holandeze menjëherë pas vendimit shpërndau qëndrimin e Qeverisë së saj.

Pas këtij qëndrimit pozitiv të Holandës dhe deklaratave të kryediplomatëve të vendeve si Gjermania, Austria apo Italia ka shpresa që Shqipërisë do t’i hapet rruga në mbledhjen e 22 Qershorit të Këshillit Evropian që do të pasojë Konferencën Ndërqeveritare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb