Avokati Jordan Daci shprehet se Gjykata Kushtetuese duhet të rrëzojë aktin e qeverisë për konfiskimin e pronave me VKM.

Në një intervistë për News 24, ai thotë se fakti që dy deputetë që kanë firmosur kërkesën për në Kushtetuese, sot nuk janë më në Parlament, nuk duhet të përbëjë problem për Gjykatën.

Si e vlerësoni seancën që po zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e VKM-së së qeverisë për konfiskimin e pronave me vendim qeverie?

Çështja e tërheqjes së deputetëve është proceduriale, shpresoj të mos e shohë si pengesë për gjykimin e kësaj çështje. Kushtetuta garanton që të drejtat dhe liritë themelore, duke përfshirë edhe të drejtën e pronës, kufizohen vetëm me ligj dhe për interes publik. Nëse i referohemi logjikës së funksionimit, VKM dhe praktika cenojnë barazinë e shtetasve para ligjit. Kushdo që ka para mund ta blejë shkeljen e tij me para dhe të gjithë ata që nuk kanë para, do të duhet të përgjigjen me dënime penale. Kjo VKM në thelb krijon probleme edhe për zbatimin e Kodit Penal. Përveçse amniston ndërtimet pa leje, krijon përshtjellim edhe sa i përket çështjes penale, pasi i jep mundësi subjekteve të paguajnë dhe të rregullojnë marrëdhëniet me shtetin. VKM nuk e kalon testin e kushtetueshmërisë.

Ka një mënyrë selektive, disa u jepet mundësia të blejnë pronën, të tjerët u vendoset tritoli. Nga qeveria pretendohet se ka 26 firma…

Kjo është dobësi e qeverisë sepse kërkon ta fitojë me procedurë. Fakti që shmanget gjykata që vendos për konfiskimin e pasurive, tani e merr qeveria që e bën ligjin një tekë për të marrë vendime të caktuara. Kushtetuta parashikon që Kushtetuesen e vënë në lëvizje 28 deputetë dhe kur është bërë kërkesa kanë qenë 28 deputetë, pavarësisht se sot dy nuk janë. Në dallim nga rastet e tjera, këto firma shërbejnë vetëm për ta vënë në lëvizje. Mendoj se çështja duhet të gjykohet deri në fund. Unë do të veproja me këtë linjë logjike. Minimalisht nëse krijon pengesë, kërkesa mund të vijojë të shqyrtohet me dy firma të tjera.

Rrezikon qeveria të përballet me gjyqe të tjera të humbura në Gjykatat Ndërkombëtare?

Kjo VKM do të ketë ndikim në gjykatat ndërkombëtare pas shumë vitesh, kur të mos jetë kjo qeveri. Dhe qeveria e ardhshme do thotë “nuk kam faj unë” dhe kjo qeveri nuk do të jetë më në detyrë për të dhënë llogari.

Pronave të vendosura nga kriminelët u jepet mundësia të shkojnë në gjyq, ndërsa ata që ndërtojnë pa leje u konfiskohet me VKM. A është e drejtë kjo?

Vetëm gjykata mund ta vendosë këtë. Në vendin tonë janë bërë hata të paimagjinueshme, duke nisur që nga akti për “Forcën e Ligjit” që ishte anti kushtetues, por akoma vazhdon. Ne vuajmë pasojat e një shteti të dështuar në shumë fusha të jetës dhe ku niveli i zbatimit të ligjit është në nivele shumë të ulëta.

Kushtetuesja ka shtyrë shqyrtimin e çështjes për në 26 prill. Si e shihni këtë vendim?

Nëse është shtyrë që Gjykata të marrë kohë për të vendosur për kërkesën, duhet parë. Është rasti i parë që kjo situatë ka ndodhur. Ftoj palën kërkuese që ndërkohë që Gjykata ka shtyrë çështjen, ti paraqesë Kushtetueses edhe dy firma të tjera. Nëse nuk ka as dy deputetë të tjerë për të firmosur, ne nuk e meritojmë drejtësinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb