Në kuadër të ditës së lirisë së medias, ambasadat perëndimore lëshuan një deklaratë, duke theksuar se sulmet ndaj gazetarëve apo ndaj shtypit të lirë nuk mund të justifikohen kurrë.

Në reagim thuhet se media e pavarur është thelbësore për një demokraci funksionale.

Reagimi:

Ambasadorët dhe ambasadat në Shqipëri, anëtarë të Koalicionit Botëror të Lirisë së Medias, si edhe përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, OSBE-së dhe Bashkimit Europian u takuan për të shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, për të ripohuar angazhimin tonë për lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.

Ne përsëritëm mbështetjen tonë për Shqipërinë që të vazhdojë të zhvillojë një mjedis mediatik, ku gazetarët profesionistë dhe etikë mund të hetojnë dhe raportojnë në mënyrë objektive, pa frikë dhe pa u intimiduar. Një media e pavarur është thelbësore për një demokraci funksionale. Ne theksuam rëndësinë e gazetarëve që raportojnë profesionalisht dhe ruajnë standardet e sjelljes, duke përfshirë shmangien e interesave personale, politike apo financiare.  Ne inkurajojmë mediat shqiptare të nxisin përfaqësime gjithëpërfshirëse dhe të shmangin diskriminimin dhe paragjykimin. Ne përqafojmë rëndësinë e gazetarisë dhe lirinë e shprehjes në përballen me krizën globale të mjedisit.

Ne diskutuam mbi shqetësimet për raportet e fundit të sulmeve dhe abuzimeve drejtuar gazetarëve, duke përfshirë diskriminimin me bazë gjinore, dhe ritheksuam angazhimin tonë për të folur hapur kur kjo ndodh. Sulmet ndaj gazetarëve apo ndaj shtypit të lirë nuk mund të justifikohen kurrë.

Ndërsa shënojmë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne duartrokasim trimërinë e gazetarëve në raportimin e së të vërtetës duke u mundësuar qytetarëve të marrin informacion të saktë. Ne u bëjmë thirrje politikanëve, autoriteteve të zbatimit të ligjit, biznesit të sigurojnë që gazetarët ta kryejnë lirisht këtë detyrë jetike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb