Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, në Komisionin Parlamentar ka folur për situatën në Lindjen e Mesme. Ai deklaroi se Shqipëria pavarësisht përshkallëzimi, nuk ka mbyllur ende asnjë përfaqësi diplomatike në rajon.

Gjithashtu nënvizoi se ambasadat janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe se Ministria e Punëve të Jashtme po ashtu është në koordinim me partnerë ndërkombëtarë për operacione evakuimi. Hoxha theksoi se në Lindjen e Mesme jetojnë 2962 shtetas shqiptarë, ndërsa shtoi se 45 prej tyre janë larguar individualisht me zgjidhje të ndryshme dhe 17 të tjerë kanë mundur t’i largojnë me ndihmën e partnerëve të huaj.
Fjala e plotë;

Si shume vende të tjera, në Evropë e përtej, Shqipëria është e prekur në aspektin politik e humanitar nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë në rajon. Kjo edhe për faktin se në vendet e prekura nga kriza jetojnë e punojnë qytetarë shqiptarë, siguria e të cilëve mbetet prioritet madhor i Qeverisë Shqiptare dhe Shërbimit të Jashtëm në veçanti.

Për këtë qëllim, që me fillimin e krizës, në Ministri është ngritur dhe ka funksionuar një shtab i posaçëm, i cili në bashkëpunim me ekipin drejtues dhe në koordinim të ngushtë e të pandërprerë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, ka ndjekur e vazhdon të ndjekë, në mënyrë të pandërprerë, në 24 orë, dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë si dhe me autoritetet në vendet përkatese.

Kryeministri Rama dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, janë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorët tanë në këtë rajon, për të marrë informacionin e përditësuar në kohë reale mbi situatën e sigurisë në këtë rajon, si dhe analizojnë shqetësimet, nevoja, si dhe propozojnë masat që duhen marrë për qytetarët shqiptarë rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.

Pavarësisht nga përshkallëzimi i situatës, pavarësisht përkeqësimit të situatës së sigurisë, ndryshe nga shumë vende të tjera, Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë prej përfaqësive diplomatike, duke vënë në plan të parë nevojën për të ndjekur zhvillimet dhe për të asistuar shtetasit tanë atje. Jo se nuk ka patur respekt për stafet diplomatike, por sepse ka qenë e domosdoshme të kemi njerëzit tanë atje në terren, për të komunikuar e asistuar qytetarët tanë atje.

Përfaqësitë tona kanë kontaktuar në mënyrë aktive qytetarët shqiptarë të regjistruar në zonat e prekura, kanë organizuar procesin e regjistrimit vullnetar, kanë ofruar në menyrë të vazhduar udhëzime për largimin nga zonat e rrezikut dhe duke koordinuar me autoritetet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë për mundësi evakuimi.

Përmes këtij koordinimi janë asistuar dhe udhëzuar qindra shtetas shqiptarë për t’u larguar nga zona e konfliktit, ndërsa një pjesë e tyre janë larguar individualisht ose përmes kanaleve të sigurta të transportit.

Paralelisht, MEPJ dhe përfaqësitë diplomatike kanë bashkëpunuar me vendet partnere dhe shtetet fqinje për të mundësuar përfshirjen e shtetasve shqiptarë në operacionet e evakuimit të organizuara nga këto vende, duke siguruar kështu alternativa të sigurta për largimin e tyre nga rajoni.

Unë dua t’i falënderoj kolegët dhe bashkëpunëtorët e mi në të gjitha vendet për punën e shkëlqyer, angazhimin e njëmendtë, kujdesin e vazhdueshëm dhe koordinimin. Është pikërisht në raste të tilla, në kohë krize, kur del në pah në mënyrë të drejtpërdrejtë puna dhe aktiviteti diplomatik dhe shërbimi publik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb