Në emisionin ‘Pikat mbi i’, analisti Artur Zheji dhe gazetarja Klodiana Lala komentuan këtë të hënë Kongresin e Partisë Socialiste zhvilluar të shtunën (më 09 prill).

Gjatë bisedës në studio, analisti Zheji u shpreh se kryeministri Edi Rama në fjalën e tij ritheksoi se nuk do të mbrojë askënd që shkel ligjin dhe se u dha një mesazh që SPAK do të vazhdojë të godasë.

“Legjenda e frikës së Ramës duhet ç’mitizuar, Rama është i kujdesshëm dhe kujdesin e tij nuk duhet të përkufizojmë si frikë. Koha ka treguar se ka qenë i kujdesshëm më shumë se frikacak. Tani SPAK ka dalë nga qendra dhe po godet kryesisht majtas. Duke qenë se frymëzues të SPAK kanë qenë amerikanët dhe duket se kanë dhënë garanci SPAK që mund të godasë lirshëm edhe në radhët e pushtetit në ka fakte dhe prova dhe Rama këtë mesazh e ka marrë shumë qartë nga amerikanët. Dhe mesazhi ishte merrni masa, sepse do të godasë majtas sërish dhe se unë nuk do t’ju mbroj”, tha Zheji.

Nga ana tjetër gazetarja, Klodiana Lala tha se personat që janë në pushtet kanë potencialin më të lartë për abuzuar me paranë publike, duke shtuar se gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS paralajmëroi të vetët se SPAK do të godasë sërish majtas.

“Problemi është se zoti Rama ndjen lagështi dhe për shkak të informacionit që ka sepse është shefi i qeverisë dhe mesa duket ka indicie më të forta se SPAK do të godasë majtas dhe në këtë kuptim një njëfarë mënyrë i ka paralajmëruar. Por çështja është se mundet zoti Rama të justifikohet se përgjegjësia është individuale, sepse nëse zoti Rama nuk ka pasur informacion do të thotë se nuk e ka kontrolluar si duhet oborrin e tij”, tha gazetarja Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb