Rishtazi vizitova jugun e Francës dhe u ndala për disa orë në Kanë (Cannes). Një qytet me rreth 74 mijë banorë, afërsisht sa popullsia e bashkisë së Korçës, që referuar censusit më të fundit, ka regjistruar rreth 60 mijë banorë.
E di se kureshtja e lexuesve të këtij teksti do lidhet më së pari me arsyen se përse krahasova numrin e popullsisë së dy realiteteve jo të krahasueshme.
Shkëputja nga e përditshmja, qoftë edhe për disa orë apo ditë, i krijon njeriut energjinë e natyrshme brenda vetes për ta imagjinuar të bukurën e një vendi të huaj si të huazueshme në trajta të caktuara edhe në vendin e vet.
Sigurisht, Shqipëria nuk është Franca dhe as Korça nuk është Kana. Por një të përbashkët e kanë. Korça mishëron kulturë të pasur autentike, në plot raste të veshur me ngjyra të frankofonisë, më shumë se çdo realitet tjetër në Shqipëri.
Ky fakt e shkrin më lehtësisht fantazinë time rreth ngjashmërisë mes dy realiteteve dhe ma justifikon disi kurajon për ta ndarë publikisht ëndrrën që pashë me sy hapur, teksa ecja në rrugët e Kanës.
(Fotoja është shkrepur përballë qendrës ku çdo vit, gëlon ngjarja shumë prestigjioze e Festivalit të Filmit në Kanë).
Jo më kot Korça njihet si qyteti i artit dhe kulturës në Shqipëri. Ky status bazohet fort në genin artistik të këtij qyteti, që ka nxjerrë aktorë, regjisorë, skenaristë, producentë e muzikantë që kanë kontribuar shumë cilësisht në historinë e filmit shqiptar.
Personalitete të shquara të këtyre fushave si Piro Mani, Viktor Gjika, Piro Milkani, Kiço Blushi, Liza Vorfi, Vangjel Grabocka, Minella Borova, Vangjush Furxhi, Llazi Serbo, Vani Trako, Violeta Manushi, Zhani Ziçishti, Dhorkë e Dhimitër Orgocka, Koço Qëndro, Piro Qirjo, Piro Kita, Perika Gjezi, Jani e Petrika Riza, Pandi Raidhi, Zamira Kita, Mirjana Deti, Robert e Edmond Budina, Niko Kanxheri, Jani Tane, Sotiraq Bratko, Teodor Laço e shumë korçarë të tjerë, janë rrënjosur në kujtesën kolektive si emblema të filmit shqiptar dhe krenarisë sonë.
Jo për kontekstin ku ata zhvilluan veprimtarinë e tyre artistike, më së shumti brenda filozofisë së realizmit socialist në të cilin u prodhuan shumë filma të bukur, por për origjinalitetin, mjeshtërinë e talentin artistik që zotëronin. Ata i dhuruan vendit një trashëgimi vërtet të pasur artistike në zhanrin e kinematografisë e jo vetëm.
Korça është gjithashtu një nga qytetet me traditë të fortë muzikore. Kompozitorët korçarë kanë krijuar këngë e muzikë instrumentale që janë përdorur në shumë filma shqiptarë.
Po ashtu, shumë filma shqiptarë janë vendosur në peizazhe dhe skena të Korçës, duke e bërë qytetin pjesë të trashëgimisë vizuale të kinematografisë dhe ushqyer nostalgji për rrenjët e historisë, edhe asaj arkitektonike të qytetit.
Prodhime të kinematografisë shqiptare me autorë dhe artistë korçarë janë paraqitur në festivale të rëndësishme ndërkombëtare si Festivali i Filmit në Kanë, ai në Venecia, në Zyrih, në Berlin dhe në shumë skena të tjera të kinemasë botërore, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë e Kosovën dhe duke krijuar hapësirë që artistë shqiptarë të jenë të pranishëm në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare.
Por, pse të mos e imagjinojmë Korçën tonë si vendin mikpritës të artistëve e profesionistëve shqiptarë e të huaj nga vende të rajonit, që përpara se të udhëtojnë për në Kanë, Venecia, Zyrih, Berlin apo gjetkë, ta promovojnë produktin e tyre artistik edhe në “Festivalin e Filmit në Korçë”?!
Pse të mos krijohet një pol i promovimit të kinematografisë shqiptare dhe asaj ballkanike, pikërisht këtu në qytetin tonë?!
A nuk nuk merr më shumë prestigj Korça duke zgjeruar ofertën kulturore edhe te filmi, përveç projekteve si “MIK Festival” apo “KOKO Fest”, që i kanë sjellë një vlerë të shtuar qytetit?!
Pse të mos i bëjmë bashkë në Korçë artistë vendas e të huaj të filmit, që të ndajnë përvojat e tyre profesionale rreth filmave të rinj?!
A mund të tentohet realizimi i një projekti të tillë si premisë e bukur që ndihmon cilësisht promovimin e qytetit dhe vendit tonë në këtë fushë?!
Pse godinën e dhuruar të kinemasë nga filantropi Thoma Turtulli që qëndron kyçur në zemër të Korçës, të mos e shohim të shkëlqejë, jo thjesht si godinë por edhe si jetë artistike, teksa hyjnë e dalin në të audienca qytetare dhe personazhe të artit?!
Pse të mos ndizen prozhektorët e reklamimit të filmit shqiptar e ballkanik dhe të mos shtrohet tapeti i kuq ku producentë, aktorë, regjisorë, skenaristë vendas e të huaj, të prezantojnë e promovojnë krijmtarinë e tyre?!
Pse të mos kthehej ky projekt në një traditë të përvitshme, për të ushqyer më shumë kulturë dhe art?!
Festivali i Filmit në Kanë që organizohet çdo vit në muajin Maj e rrit numrin e vizitorëve në qytet në mbi 200 mijë persona, sepse mijëra aktorë, gazetarë dhe turistë vijnë nga e gjithë bota, pikërisht për këtë event. Padyshim, kjo sjell edhe shumë përfitime për ekonominë lokale.
Sikur ta mendonim të realizuar projektin e “Festivalit të Filmit në Korçë”, a nuk do përfitonte qyteti nga fluksi i vizitorëve, sikur qoftë edhe vetëm 1000 të ishin ata?!
E di se vrulli i imagjinatës sime tani ka si burim vetëm dashurinë për Korçën tonë. Por e di edhe se të tilla projekte në dukje e në përmbajtje shumë ambicioze, nesër mund e madje duhet bërë çdo përpjekje që të marrin formën e tyre të jetësimit pak e nga pak, nëse i mëshojmë një vullneti me energji të re e me vizion, për t’iu larguar stagnacionit dhe hijeshisë së sfumuar e për ta parë “Korçën lule” aty ku gjithmonë i takon, në piedestalin e së bukurës, unikes, krenarisë historike e kulturore, që patjetër është edhe ekonomi, turizëm e bashkëjetesë bashkëkohore.
Siç Korça e meriton!
