Koreja e Veriut ka kryer një tjetër test raketor, ka njoftuar ushtria e Koresë së Jugut. Shtëpia e Bardhë është shprehur se kjo raketë ishte me një rreze më të shkurtër veprimi krahasuar me tre testet e fundit të Koresë së Veriut.

Ky test vjen një javë pasi Koreja e Veriut testoi atë që ajo e quan raketë të aftë për të mbajtur një kokë të madhe bërthamore.

Të hënën e kaluar, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i kërkoi sërish Penianit të mos testojë raketa të tilla duke shtuar se është shumë e rëndësishme që Koreja e Veriut të tregojë angazhim serioz ndaj denuklearizimit përmes veprimeve konkrete. Raketa e fundit e testuar nga Koreja e Veriut fluturoi 500 km drejt Detit të Japonisë, ka bërë më tej të ditur Koreja e Jugut.

Ndërsa sipas mediave japoneze, raketa ka rënë jashtë ujërave japonezë. Mediat e huaja raportojnë se Koreja e Veriut po zhvillon armë bërthamore dhe raketa në gjendje për t’i dërguar këto armë në objektivat e tyre. Që të dyja këto zhvillime janë në shkelje dhe sfidë e hapur ndaj sanksioneve të vendosura nga OKB-ja.

Sakaq, media shtetërore e Koresë së Veriut ka bërë të ditur se Koreja e Veriut do të vazhdojë të lëshojë më shumë armë të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb