Ish-ministri i Financave, Arben Malaj i ftuar në emisionin ‘Frontline’ me Marsela Karapanço foli për ekonominë, koncesionet, ndërsa u ndal edhe tek propozimi i Partisë Demokratike për produktet e shportës.

Malaj u shpreh se sot ekonomia po shkon drejt ekonomisë së dijes, ndërsa theksoi se niveli i korrupsionit apo i kapjes së shtetit është rritur.

“Rama bën infrastrukturë rrugorë, por nesër mund të ecë më shpejt droni. Tani dua të kujtoj investimet që po bëhen në Vlorë, theksoj se asnjë nga faktorët që duhet të kishte marrë pjesë për të diskutuar nuk dëgjuar asnjëherë. Sot niveli i korrupsionit, niveli i kapjes së shtetit është rritur. Sot ekonomia po shkon tek ekonomia e dijes, ne nuk do të merremi më me ekonomi tradicionale”, tha ai.

Më tej ish-ministri i Financave deklaroi se projektet të cilat janë mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Banka Botërore kanë kosto disa herë më të ulëta se projektet PPP të bëra të ditura nga kryeministri Edi Rama.

Po ashtu Malaj u shpreh se kostot për këto projekte do t’i paguajë indirekt taksapaguesi shqiptar.

“Projektet që janë mbështetur nga BE dhe BB kanë kosto disa herë më të ulëta se projektet e PPP të Ramës. Do të shikoni kostot indirekte që do të paguajë taksapaguesi shqiptar”, tha Malaj.

Lidhur me propozimin e PD për produktet e shportës, Malaj u shpreh kundër pasi sipas tij propozimi për të ulur TVSH-në nuk është një politikë që ndihmon të varfrit, përkundrazi tha ai do t’i varfërojë më shumë ata.

“Propozimi për të ulur TVSH-në si politikë që do të ndihmojë të varfrit nuk qëndron, do ti varfërojë ato më shumë. TVSH minimale duhet të jetë jo më e vogël se 15% . Ne e provuam. E bëmë për barnat, por nuk u ul. Kosto që paguajnë shqiptarët për kujdes shëndetësor është shumë më e madhe. Nuk është ulja e TVSH ajo që do të ulë çmimin. Krizat menaxhohen me efikasitet dhe jo me ideologji. Këshillohet të mos braktisen shtresat në nevojë… Inflacioni është tatimi indirekt dhe godet të varfrit , kështu theksoj që unë jam kundër. Sa për buxhetin afatmesëm, ai është orientues. Besoj që do të gjendet një zgjidhje përpara shtatorit. Besoj sepse është pjesë e një reformë që ka dalë pozitive në vendet e tjera dhe po ashtu i është dhënë fund abuzimeve. Basha duhet ta kushtëzojë dhe nëse është reformë e mirëfilltë …shqiptarët nuk janë budallenj do ta kuptojnë. Qeveria është e detyruar ta përfshijë në buxhet deri në qershor. Rama ka thënë që është gati të diskutojë. Problem është opozita se sa e qartë është? Rama do të provojë që po, jam i gatshëm të bëj kompromis”, tha ndër të tjera Malaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: