Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar mbi sistemin e drejtësisë, teksa i referohet lajmit të “Zëri i Amerikë” për ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë të administratës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Sula ka shkruar se korrupsioni i qeverisë ka filluar të ndjejë frikën e drejtësisë, por ende ka shumë punë për të bërë.

Sakaq, ka shtuar se që prej vitit 2019, 257 zyrtarë të administratës publike janë kapur nga drejtësia për shkelje ligjore, ku 180 prej tyre janë ndëshkuar me heqje lirie.

Postimi i plotë:

?Korrupsioni i qeverisë ka filluar te ndiej frikën e drejtësisë, po ka ende shumë punë!

?Që nga 2019 janë plot 257 zyrtarë të administratës publike të kapur nga drejtësia e re në shkelje ligjore. Nga këto 180 prej tyre janë ndëshkuar me heqje lirie.

Sipas një analize të lehtë të shifrave vërehet që korrupsioni në këtë qeverisje është i shpërndarë në çdo qelizë të administratës. Njësoj si edhe me rastet e kapjes së drogës, edhe në korrupsion raporti është thuajse nga 10 raste vetëm 1 evidentohet. Sipas këtij algoritmi, korrupsioni është “sëmundja e keqe” që po na vret shpresën në vendin tonë. Që po na largonë çdo ditë e më shumë të ardhmen e këtij vendi, rininë.

?Por në fakt duket se ka një dritë të vogël në fund të tunelit që ka nevojë për energji pozitive që ta ndriçojë këtë vend. Lexova një lajm të Zërit të Amerikës që thoshte se “Prokuroria e Posaçme që prej Dhjetorit të vitit 2019 kur nisi funksionin dhe deri tani janë hetuar gjithsej 84 proçedime penale me 257 persona nën hetim, ish funksionarë publikë dhe në drejtësi për veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, dhe përkatësisht 77 dhe 74% e tyre janë dërguar për gjykim.

Ndërsa sipas të dhënave të siguruara nga Zëri i Amerikës në Gjykatën e Posaçme të shkallës së parë për këto vepra penale janë dënuar me heqje lirie rreth 180 ish-funksionarë publikë, dhe ish-funskionarë të sistemit të drejtësisë, ose rreth 95% e atyre të dërguar për gjykim”.

?Ajo çfarë mund të konstatohej në këtë lajm është se drejtësia ka filluar të japë shkëndijat e para. Dora e hekurt mbi zyrtarucët e korruptuar është një lajm i mirë.

Por nga ana tjetër skandali me Alda Klosin tregon se “sëmundja e keqe” e korrupsionit ka shkuar nga qelizat deri te organet e qeverisjes.

?Në këtë kontekst si ish-prokuror, unë mbështes dhe inkurajoj ish-kolegët e mi që të trajtojnë të gjithë të barabartë para ligjit pavarësish kostumit që veshin shkelësit e ligjit.

Në shtetet e zhvilluara e me demokraci të lartë, politikanët thjeshtë bëjmë politikat, janë menaxherë, strateg. Ata që janë stoik e që janë garancia për një normalitet janë ata që bëjnë drejtësi. Ndaj edhe në Shqipëri, policët, prokurorët, gjyqtarët duhet të jenë të vetëdijshëm për peshën që kanë dhe për detyrën që kanë. Ndonëse për të gjithë sektorët treguesit e statistikave janë negative, drejtësia është e vetmja që ka shenja jete për besueshmëri nga qytetarët. Ndaj edhe sulmohen në mënyrë të vazhdueshme nga ata që duan të ruajn statuskuonë. Ata duhet të fitojnë më shumë besim dhe të rikthejnë lumturinë në vend. Fillimisht duke luftuar korrupsionin e më pas duke i prerë çdo filiz që mund të tentojë të rritet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb