Në një ceremoni të veçantë në Kopenhagen të Mbretërisë së Danimarkës, Konsulli i Republikës së Kosovës atje, Arton Krasniqi dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Kastriot Robo, inauguruan Konsullatën e përbashkët të të dy vendeve.

Në prani të autoriteteve daneze dhe trupit diplomatik të akredituar në Kopenhagen, konsulli Krasniqi ka theksuar nevojën e vazhdimit të projekteve të përbashkëta dhe inicimin e nismave të reja të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, si dhe për bashkëpunim në kuadër të agjendës bilaterale dhe multilaterale.

“Sot është një ditë e veçantë, pasi po hapim konsullatën e përbashkët me Shqipërinë, e treta e këtij lloji dhe gjithsesi jo e fundit. Këtë ditë e madhështon data e nesërme, 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës, pavarësi kjo që nuk u arrit lehtë kur kemi parasysh sakrificën e shumë brezave”, tha konsulli Krasniqi.

Ambasadori i Shqipërisë, Kastriot Robo vlerësoi lart aktin e hapjes së Konsullatës së përbashkët. ’’Do të punojmë së bashku për t’u ofruar shtetasve si të Republikës së Shqipërisë, ashtu edhe të Republikës së Kosovës, shërbime sa më pozitive, sa më moderne, profesionale dhe nuk ka dyshim se qytetarëve tanë do t’u ofrohen shërbime sa më mirë të mundshme.

Ai ndër të tjera tha se kjo konsullatë do të jetë adresë kryesore e kërkesave të qytetarëve tanë për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të promovuar të drejtat dhe identitetin e tyre.

“Po ashtu, do të jetë një pikë reference për bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës e Danimarkës, pasi ky rajon përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve, si dhe është ndër më të pasurit dhe më të zhvilluarit në botë dhe do të shndërrohet në adresën kryesore të kërkesave të qytetarëve tanë për të mbrojtur interesat e tyre e për të promovuar të drejtat dhe identitetin”, ka thënë konsulli i Kosovës Arton Krasniqi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb