Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka deklaruar se në ambasadën e Kosovës në Bruksel ka zhvilluar një takim me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Nëpërmjet një reagimit në platformën X, Konjufca ka ndarë detaje nga bisedimet duke thënë se në takim është diskutuar për avancimin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Konjufca theksoi se qëllimi i qartë i Kosovës mbetet përmbyllja e procesit me njohje reciproke mes dy vendeve.
“Ishte kënaqësi të mirëpresim Peter Sorensen në ambasadën tonë në Bruksel për një diskutim të strukturuar mbi avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Së bashku me kryenegociatorin tonë, Agron Bajrami, riafirmuam se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces — me synimin e qartë për ta përmbyllur atë përmes njohjes reciproke”, ka shkruar Konjufca.
