Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë për Kosovën, duke akuzuar Beogradin se vazhdon të shfaqë ambicie territoriale dhe të sfidojë sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Në një reagim në rrjetin social “X”, Konjufca përmendi deklaratën e zëvendëskryeministrit serb Ivica Daçiç, i cili gjatë një tubimi zgjedhor tha se flamuri serb herët a vonë do të valëvitet në Prizren.

Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për pjesëmarrjen e Milan Radoiçiqit, të cilin autoritetet e Kosovës e lidhin me sulmin në Banjskë, në një tubim të partisë së presidentit serb Aleksandar Vuçiç, ku ishte i pranishëm edhe djali i këtij të fundit.

“Këto nuk janë provokime të izoluara. Ato nxjerrin në pah vazhdimësinë e një doktrine të rrezikshme politike: ekspansionizmin territorial në retorikë dhe pandëshkueshmërinë për agresion të armatosur në praktikë”, shkroi Konjufca.

Sipas tij, Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen dhe integrimin evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj bëjnë deklarata që vënë në pikëpyetje sovranitetin e Kosovës dhe Radoiçiqi vazhdon të shfaqet publikisht në Serbi, pa u përballur me drejtësinë për çështjen e Banjskës.

Në përfundim, kryediplomati kosovar i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë këto deklarata dhe të kërkojë llogaridhënie.

“Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, e po ashtu as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, theksoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb