Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar menjëherë pas deklaratës së ditës së kryeministrit Edi Rama për refuzimin e ftesës së Kosovës, pikërisht nga presidenti Hashim Thaçi për pjesëmarrjen në Samitin e tretë të Shengenit Ballkanik, i cili kësaj radhe mbahet në Durrës.

Rama tha se Kosova me këtë vendim të gabuar po izolohet, por Kryemadhi i kundërpërgjigjet duke thënë se ‘Mini-Schengeni’ po përdoret nga kryeministri për presion ndaj BE.

Kryemadhi bën me dije se LSI është në mbështetje të çdo marrëveshje bashkëpunimi në Rajon, por që të jetë transparent. Ndërkohë ajo drejton dhe disa pyetje rreth marrëveshjesh trepalëshe të ‘Mini-Schengen’. Sot dhe nesër në Durrës mbahet Samiti i tretë i ‘Shengenit Ballkanik’ mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

STATUSI I PLOTË I MONIKA KRYEMADHIT

Mini Schengeni Ballkanik pa Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është jo vetëm një iniciativë e nxituar, por ajo nxit konflikt dhe lë shumë dritëhije pas. Këtë e konfirmoi edhe ambasadori Grenell pak kohë më parë kur theksoi se “ Ne besojmë se që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës”.

LSI është në mbështetje të çdo marrëveshjeje dhe bashkëpunimi që sjell stabilitet dhe rritje ekonomike, por që ky të jetë një proces i besueshëm ka nevojë emergjente për transparencë. Sot të gjithë ne kërkojmë të dimë:

1. Çfarë është diskutuar mbi këtë marrëveshje?
2. Cilat janë pikat e bashkëpunimit për të cilat është rënë dakord?
3. Përse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja kanë refuzuar të jenë pjesë?
4. Çfarë përfiton dhe çfarë humbet Shqipëria?
5. A garantohet njohja e Kosovës nëpërmjet këtij bashkëpunimi?
6. Çfarë e detyroi Kryeministrin të vraponte drejt kësaj iniciative duke mos marrë parasysh Kosovën?

Nëse Mini Schengeni po përdoret nga Edi Rama për presion ndaj BE, ai duhet ta di mirë se perspektiva evropiane e Shqipërisë është e pazëvendësueshme. Kushtet e Bundestagut janë i vetmi udhërrëfyes që kanë qytetarët shqiptarë. Çdo shfaqje dhe propagandë tjetër vetëm dëmton rrugëtimin evropian të vendit!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: