PRISHTINË- Investitorët e huaj kanë nevojë për përkrahje dhe duhet një shtet i fort ligjor për zgjidhjen e shpejtë të problemeve të tyre në Kosovë, theksoi sot në Prishtinë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell.

Gjatë prezantimit për arritjet e hulumtimit “After Care” të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Investimeve të Huaja dhe me ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë, amabasadori O’Connell tha se “investitorët kanë nevojë për ndihmë, nuk mjafton vetëm që ata ta sjellin kapitalin në Kosovë”.

“Investitorëve iu duhet përkrahja dhe shteti i fortë ligjor, iu duhet zgjidhje për çdo problem që kanë dhe që mund t’i zgjidhin në mënyrë të drejtë dhe të shpejtë nga gjyqësori i Kosovës. Prandaj, duhet të mbështeten dhe t’u krijohen kushte edhe më të mira për vazhdimin e veprimtarive të tyre”, theksoi O’Connell.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, u shpreh se “sa herë që po bëjmë përmirësime të kuadrit ligjor edhe iniciativa të tjera po krijohet përshtypja që elita politike e Kosovës është e interesuar vetëm për investime të reja, ndërkohë që po neglizhon investitorët, të cilët kanë investuar tashmë në Kosovë. Por nga të gjitha përmirësimet në ambientin e biznesit që po bëhen do të përfitojnë edhe investitorët që janë prezentë në Kosovë, qofshin të huaj apo edhe vendorë”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, u shpreh se “ky hulumtim vjen në kohën kur Kosova ka filluar të zbatojë marrëveshjen e MSA-së”.

Në hulumtim janë identifikuar përparësitë dhe problemet e investitorëve, ku thuhet se jo stabiliteti politik dhe ekonomik janë barrierat kryesore të problemeve , po ashtu qasja në financa, mungesa energjisë. Sipas këtij hulumtimi në vitin 2008, 2012 dhe vitin 2015 ka pasur më shumë investime të huaja se sa tani.

Kurse, korniza ligjore në vend, disponueshmëria e punëtorëve të kualifikuar dhe cilësia e jetës ka qenë ndër faktorët që ka ndikuar në vendimet për investim. Sektorët që dominojnë për investime janë: sektori i shitjeve, sektori i shërbimeve, sektori i prodhimit. transporti, etj.

Zyrtarë të OEK, gjatë prezantimit të raportit kanë thënë se mbetet shqetësuese mungesa e një databaze e përditshme nëpër ambasada për prezencën e investitorëve të huaj. /k.press

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: