Pas një shpërthimi që ka ndodhur në një trafo eklektike që furnizon minierën e kompleksit metalurgjik “Trepça”, në Stantërg, rreth 100 punëtorë dyshohet se kanë mbetur në minierë në një thellësi prej 700 metrave.

Lajmin e ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku. Ai tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht janë duke u bërë gati ekipet e shpëtimit.

“Rrezik për jetë nuk kanë. Ajrosja është në nivel pasi ajrimi bëhet në mënyrë natyrale dhe po shikojmë alternativa sa më parë që ta bëjmë funksional ashensorin”, tha Sadiku.

Djegien e trafos brenda objektit të “Trepçës” e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), të cilët kanë treguar se kjo djegie ka shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike në Mitrovicë.

Në një komunikatë për media thuhet se “KEDS ka dërguar menjëherë ekipet në vendin e ngjarjes, për ku është nisur edhe ekipi nga Prishtina për t’u dal në ndihmë këtyre ndërmarrjeve që të tejkalohet sa më shpejtë kjo situatë”.

KEDS ka arritur të rikthejë energjinë elektrike për rreth 2/3 e konsumatorëve të Mitrovicës, duke e kaluar furnizimin nga linjat që vijnë nga Vushtrria, ndërsa nuk ka alternativë për konsumatorët që furnizohen nga “Trepça” dhe linja e KOSTT-it në Shupkofc, përkatësisht një pjesë e Mitrovicës dhe fshatrat afër, nga Mitrovica në drejtim të Vushtrrisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: