PRISHTINE – Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Udhëzimin Administrativ për implementimin e procedurave qendrore të prokurimit publik. Udhëzimi është i detyrueshëm për të gjitha institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës që marrin pjesë në procedurat qendrore të prokurimit publik, njofton Express.

Qeveria ka ndarë mjete financiare shtesë për Komunën e Parteshit, në shumën prej 80 mijë euro për kategoritë buxhetore të mallrave dhe shërbimeve, shpenzimeve komunale dhe subvencioneve dhe transfereve.

Sipas njoftimit për mediat, kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar kabinetin me dialogun në Bruksel dhe nënshkrimin e marrëveshjes për drejtësinë, për pjesëmarrjen në Konferencën për Siguri në Munih dhe takimet që ka zhvilluar, si dhe për vizitën në selinë e NATO-s dhe takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Jam takuar me zëvendës presidentin Joe Biden, i cili ka shprehur përkushtimin për Kosovën dhe për proceset që po zhvillohen në Kosovë. Kam marrë ftesë që të vizitoj Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe do të përgatisim bashkërisht një program të vizitës që do të jetë përmbajtjesor atje”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.

“Ne do t’ju ofrojmë sigurinë e plotë, por ne nuk mund ta zgjidhim problemin e punësimit dhe problemet tjera për një periudhë të shkurtë kohore. Programi ynë qeveritar, të cilin do ta aprovojmë javën e ardhshme, si dhe masat të cilat ne jemi përcaktuar t’i marrim në nxitjen e zhvillimit ekonomik, sidomos në fushën e bujqësisë dhe në fushat e tjera, mundësojnë që ne në mënyrë stabile dhe në mënyrë të qëndrueshme, të sigurojmë kushte që njerëzit të jetojnë këtu, të kenë perspektivë këtu, dhe me vendet e BE-së të ndërtojmë partneritet afatgjatë”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa, duke folur për problemin e migrimit aktual të shtetasve të Kosovës në Perëndim.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: