Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë nesër duke filluar nga ora 10:00, mbledhjen e radhës, në të cilën në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas KQZ-së, procesi i rinumërimit të 2,557 vendvotimeve, i cili ka nisur më 13 janar, pritet të përfundojë sonte, më 30 janar. Aktualisht, kanë mbetur për t’u rinumëruar më pak se 50 vendvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se pas përmbylljes së rinumërimit dhe verifikimit të të dhënave, Komisioni do të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare.

Mbledhja e KQZ-së do të jetë e hapur për publikun dhe mediat.

Ndryshe, që nga mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor 2025, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë zhvilluar intervista me qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra të tjerë dhe kanë vazhduar hetimet nën dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë në disa komuna të vendit.

Si pasojë e këtyre dyshimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për rinumërim të plotë të votave për kandidatët në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa votat për subjektet politike nuk u përfshinë në këtë proces dhe mbetën të pandryshuara.

Megjithë parregullsitë dhe vjedhjet e votave brenda partive politike, ndarja e mandateve të deputetëve për subjektet politike ka mbetur e njëjtë, pa ndryshime në përbërjen e përgjithshme të Kuvendit.

Deri më tani, pasojat konkrete nga këto manipulime kanë rezultuar vetëm me largimin nga Kuvendi të deputetit të komunitetit turk, Fikrim Damka, vendi i të cilit është zëvendësuar nga bashkëpartiaku i tij, Ergul Mazrek.

Sipas hetimeve, manipulimi i votave dyshohet se është kryer në dy forma kryesore: përmes shtimit të votave drejtpërdrejt në sistem nga numëruesit, në rastet kur qytetarët kanë votuar më pak se 10 kandidatë, si dhe përmes transferimit të votave nga një kandidat tek tjetri brenda së njëjtës parti politike.

Këto parregullsi kanë çuar në nisjen e hetimeve në disa komuna, ku një numër komisionarësh dhe vëzhguesish kanë përfunduar në paraburgim, ndërsa prokuroria ende nuk ka ftuar për intervistim deputetët emrat e të cilëve kanë spikatur me dallime të mëdha votash, megjithëse nuk është përjashtuar mundësia që edhe ata të përfshihen në procedurat hetimore në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb