KOSOVE

Kosova ishte shpallur edhe si shteti me “Makiatot më të mira” në botë sipas Yahoo Travel, duke e cilësuar si “Makiato Perfekte” makiaton e bareve dhe lokaleve kosovare. Duket se këtë epitet kafenetë në Prishtinë e kanë shfrytëzuar gjatë viteve për të shtrenjtuar çmimin e kafes. Kështu së fundmi në Prishtinë, më saktësisht në rrugën e frekuentuar “Rexhep Luci” që njihet për baret dhe lokalet e shumta, makiato e vogël nga 0.70 cent çmimi është ngritur në 1 euro. Ky çmim i ngritur ishte edhe sot me datë 7 qershor.

Gazeta Express ka kontaktuar Autoritetin e Konkurrencës të cilët përmes një komunikate janë shprehur se kanë pasur një takim ditën e sotme me Shoqatën e Gastronomëve të Prishtinës dhe Odën Ekonomike të Kosovës ku janë shprehur se nuk përkrahin asnjë marrëveshje që bie ndesh me Ligjin e Konkurrencës, përkatësisht çfarëdo forme të koordinuar të rritjes së çmimeve.
“Shoqata e Gastronomve të Prishtinës nuk perkrah veprimet qe bien ndesh me rregullat e Konkurrencës Pas informimit nga mediat dhe pas një takimi me Autoritetin e Konkurrences dhe Odën Ekonomike të Kosovës, Shoqata e Gastronomve të Prishtinës , shpreh qëndrimin e anëtareve të vet për respektim të dispozitave ligjore që rregullojnë konkurrencën dhe tregun e lirë” thuhet në reagim.
Kjo rritje e koordinuar e çmimeve sipas Autoritetit Kosovar të Konkurrencës përbën shkelje të ligjit.
Ligji për mbrojtjen e konkurrencës mbi “Marrëveshjet e Ndaluara” thotë se ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që:
“Caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”
Autoriteti i Konkurrencës nuk ka dhënë detaje për veprimet e mëtejshme që mund të ndërmarrin ndaj këtyre lokaleve sa i përket shtrenjtimit të çmimit të kafesë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb