PRISHTINË- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli vlerësoi sot se bllokimi i Kuvendit nga ana e opozitës po cënon demokracinë parlamentare dhe rregulloren e punës së Kuvendit.

Në një konferencë për shtyp pas mbylljes së seancës së ndërprerë nga opozita, Veseli theksoi se “nuk do të lejojë bllokimin e Kuvendit dhe shndërrimin e tij në teatër, gjë e cila nuk është e dinjitetshme për demokracinë tonë parlamentare”.

“Puna në Kuvendin e Kosovës po bllokohet, demokracia jonë parlamentare po cënohet, po cënohet edhe rregullorja e punës së Kuvendit. Në të njëjtën kohë me një veprim të tillë të paprecedent po krijojmë një praktikë, e cila më së paku i duhet stabilitetit të vendit tonë në këto momente dhe më së paku duhet që të jetë si mesazh i demokracisë sonë”, tha Veseli para gazetarëve.

Sipas kreut të legjislativit, foltorja e Kuvendit është vendi më i miri dhe mënyra më dinjitoze që të dëgjohen të gjitha kërkesat dhe qëllimet politike, të cilat i kanë pozita dhe opozita.

Kreu i Kuvendit theksoi se i kanë të gjitha privilegjet që në mënyrë demokratike ta shprehin edhe kënaqësinë edhe pakënaqësinë ndaj zhvillimeve, por jo rruga, sepse nuk është rruga opsion që i sjellë të mira vendit. Javën e ardhshme kryesia e Kuvendit do të mblidhet për të diskutuar dhe për të vendosur se si do të zhbllokoi punën e Kuvendit dhe të mbahen seancat pa u penguar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: