Komisioni Rregullator i Komisionit Qendror t ë Zgjedhjeve ka miratuar projektvendimet që përcaktojnë rregullat dhe procedurat për mbledhjen, administrimin dhe verifikimin e nënshkrimeve për zhvillimin e referendumeve në Shqipëri.
Sipas KQZ-së, qëllimi i këtyre rregullave është unifikimi i procedurave për grupet nismëtare dhe administrimi i procesit nga institucioni zgjedhor, pas kërkesave të viteve të fundit për organizimin e referendumeve qytetare.
Projektvendimi parashikon që një nismë për referendum mund të nisë vetëm pasi KQZ të regjistrojë grupin nismëtar, i cili duhet të përbëhet nga persona me të drejtë vote. Nënshkrimet mund të mblidhen nga anëtarët e grupit ose nga persona të autorizuar prej tyre.
Gjithashtu, ndalohet çdo formë presioni, premtimi apo ndikimi i padrejtë ndaj qytetarëve për të firmosur një nismë referendare, ndërsa çdo zgjedhës mund të mbështesë vetëm një herë të njëjtën nismë.
Firmat do të mblidhen vetëm në formularët e miratuar nga KQZ-ja, ku do të regjistrohen të dhënat identifikuese të mbështetësve dhe nënshkrimi i tyre. Mbledhja e tyre mund të kryhet në ambiente publike ose private, të cilat duhet të jenë të qarta dhe të aksesueshme për qytetarët.
Projektvendimi përcakton edhe rastet kur një nënshkrim konsiderohet i pavlefshëm, si mungesa e të dhënave të kërkuara, firmosja e dyfishtë, nënshkrimet e personave pa të drejtë vote apo shkelje të tjera të procedurave ligjore.
Referendumi është një e drejtë kushtetuese në Shqipëri dhe mund të kërkohet nga të paktën 50 mijë qytetarë ose nga 28 deputetë.
Aktualisht, Kodi Zgjedhor nuk përmban rregulla të detajuara për zhvillimin e referendumeve, ndërsa në fuqi mbetet dispozita kalimtare e Kodit të vjetër Zgjedhor deri në miratimin e një ligji të posaçëm për këtë çështje.
Sipas rregullave ekzistuese, referendumet mund të zhvillohen vetëm në një ditë të caktuar gjatë vitit dhe nuk mund të mbahen gjatë periudhës prej gjashtë muajsh para zgjedhjeve dhe deri në tre muaj pas tyre.
