Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka hedhur akuza të forta lidhur me çështjen e kompanisë KAYO, duke deklaruar se Komisioni Hetimor duhet të shqyrtojë edhe dëbimin e News24 nga godina ku ushtronte aktivitetin. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Balliu tha se duhet të hetohet i gjithë zinxhiri i vendimmarrjes politike dhe marrëveshjet që kanë çuar në krijimin e KAYO-s.

“Komisioni Hetimor duhet të hetojë nëse janë ndjekur procedurat. Duhet të shikohen të gjitha marrëveshjet që ka firmosur zonja Lubi. Duhet hetuar gjithë zinxhiri politik. Është me firmën e Ballukut si zv.kryeministre asokohe. Kush nuk firmos, Rama nuk e do dhe largohet”, u shpreh Balliu. Sipas tij, në rast se Komisioni Hetimor miratohet, hetimi duhet të nisë nga vendimi i Këshillit të Ministrave për krijimin e KAYO-s, i cili, sipas Balliut, është firmosur nga Belinda Balluku.

Deputeti demokrat tha se pjesë e hetimit duhet të jetë edhe marrja e godinës ku ushtronte aktivitetin News24 nga kompania KAYO. “Aty do të diskutohet dhe për marrjen e godinës nga KAYO, së News24. Ishte një media që po ngrinte këto pikëpyetje dhe i qëlloi po kësaj medie që të largohej dhunshëm, duke marrë dhe dosjet që lidheshin me emisionin ‘Vetting’, që po merrej asokohe me këtë çështje”, deklaroi ai.

Balliu e zgjeroi më tej akuzën duke përmendur biznesmenin Roni Yeffet dhe marrëdhëniet e tij me qeverinë. Ai pretendoi se Yeffet pritet të përfshihet edhe në projektin për aeroportin e Vlorës dhe ngriti pikëpyetje për një takim të tij me Ballukun. “Kjo punë zgjerohet dhe më shumë se Yeffet do të marrë aeroportin e Vlorës. Ku fshihet Balluku? Vetëm një muaj më parë Balluku ka qenë duke drekuar te kullat me Roni Yeffet. Për çfarë drekojnë? Drekon me ata që i ka dhënë tendera, partnerë i bie”, tha Balliu. Deputeti i PD-së ngriti edhe pretendimin për konflikt interesi lidhur me marrëdhëniet mes zyrtarëve dhe biznesmenëve që përfitojnë kontrata publike. “Se s’mund të drekosh me ata që u ke dhënë tendera pa garë. A nuk është konflikt interesi? Ukraina nuk bën tendera se është në luftë, por ne nuk jemi në luftë”, përfundoi Balliu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: