SHKODËR- Një ditë pasi Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 32-vjeçaren Xhoana Hila, kreu i Aleancës Demokristiane, në Shkodër, Mark Marku, tregon detaje të tjera për jetën e vajzës. Në një intervistë për News24, Marku, kreu i partisë për të cilën 32-vjeçarja kandidoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, tregon për një tjetër Xhoanë, ndryshe nga imazhi i saj i krijuar si vrasëse e gjyshes.

Ai thotë se ajo ishte anëtare e Partisë Demokristiane, të Nard Ndokës dhe në vitin 2013 kaloi në Aleancën Demokristiane. Sipas Markut, Xhoana ishte një vajzë e shkëlqyer në marrëdhënie me punën, serioze dhe korrekte.

Zoti Marku, Xhoana Hila, e cila akuzohet për vrasjen e gjyshes së saj ka qenë kandidate për deputet e ADK-së në zgjedhjet e vitit 2013, çfarë marrëdhënie keni pasur metë si kryetar i kësaj force në Shkodër?

Xhoanën e njoh që në vitin 2013, ka ikur nga Partia Demokristiane dhe ka ardhur me partinë tonë. Kemi pasur një marrëdhënie pune, ka qenë një vajzë e shkëlqyer në marrëdhënie me punën, shumë e edukuar e korrekte. Nuk ka shfaqur shenja agresiviteti por pas vitit 2013, pas zgjedhjeve atëherë ka marrë këtë rrugë, ku familja e saj është shpërbërë.

Çfarë ndodhi me të?

Xhoana ishte e fejuar me një djalë nga Shkodra, me të cilin lindi një fëmijë. Pas pak kohësh u nda nga ia fejuari dhe ajo iku në Tiranë bashkë me djalin e saj. Atje u njoh me Eraldo Qatipin dhe më pas mori rrugë të keqe.

Keni dijeni për ngjarjen, vrasjen e gjyshes së saj?

Pavarësisht rrethanave nuk e besoj se e ka kryer ajo krimin. Edhe në seancën e caktimit të masës së sigurisë, vajza nuk e ka pranuar vrasjen, ka thënë që e ka kryer i dashuri i saj, të cilin unë e kam njohur. Megjithatë duhet të presim deri në fund hetimin.

E njihni familjen e saj, çfarë marrëdhënie ka pasur Xhoana me gjyshen?

Me sa jam unë në dijeni, gjyshja e saj e ka rritur, e ka edukuar, e ka çuar në shkollë, e ka martuar, ka pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me gjyshen. Sa herë vinte në Shkodër e takonte, e donte shumë. Kur ka ndodhur krimi, me sa di unë kjo ka qenë në dhomë tjetër, kur i dashuri i saj e ka mbytur. Familja e saj, është familje e vjetër e respektuar në Shkodër.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb