Kreu i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Karlo Tavekio, i është përgjigjur trajnerit Xhani De Biazi pas “kërcënimit” që ky i fundit i bëri Italisë për vendin e dytë në Grupin G për eliminatoret e Botërorit 2018.

“Ne do të shkojmë të luajmë në Shqipëri me dëshirën për të fituar, si përherë. Do të bëjmë të pamundurën që De Biazi ta ketë gabim”, deklaroi drejtuesi i futbollit italian gjatë një aktiviteti të zhvilluar të hënën.

De Biazi, gjatë një interviste për “Sportmediaset”-in dje paralajmëroi “Axurrët” se duhet të bëjnë kujdes në duelin kundër kuqezinjve në Shkodër, që mbyll eliminatoret vitin e ardhshëm.

“Nëse do të isha në vend të Italisë, do të mundohesha të arrija në atë sfidë me vendin e dytë në xhep. Përndryshe do të shqetësohesha për ta, pasi do të luajmë në shtëpi dhe do të hedhim gjithçka që kemi në fushë. Ne sigurisht që garojmë në ndjekje të Italisë, është e qartë që kanë diçka më shumë se ne, por nëse nuk do të provoja ta arrija atë, do të lija që tani bankinën”, deklaroi De Biazi. /panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb