Në mesin e një konflikti të ashpër të lindur mes ambasadores së SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama në lidhje me emërimin e kreut të SPAK, KLP ka nesër detyrën e vështirë për të vendosur se cili nga tre kandidatët do të marrë drejtimin e kësaj strukture e cila heton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.

Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili janë tre kandidatët. Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje nga procesi dhe ajo që pritet të ndodhë të premten.

“Ditët e fundit ka pasur përplasje të forta mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores së amerikane. Yuri Kim ka folur për tentativa për të mos pasur një garë të drejtë dhe transparente, ndërkohë që ditën e djeshme kryeministri Rama deklaroi se është KLP që e zgjedh kreun e SPAK dhe jo opozita apo ambasada e SHBA.
Në mesin e kësaj përplasjeje, 11 anëtarët e KLP kanë deklaruar se nesër do të mblidhen në seancë për të shqyrtuar tre kandidaturat. Të tre kandidatët të renditur sipas rendit alfabetik do të dalin njeri-pas tjetrit para KLP dhe do të paraqesin platformën e tyre apo strategjinë se si ata do ta drejtojnë SPAK. Më pas KLP do të marrë në konsideratë dhe karrierën apo dosjen e tyre dhe në fund do të bëhet votimi, i cili do të jetë i hapur. Kandidati që do të marrë më shumë vota do të pasojë Arben Krajën në krye të SPAK.
Njëri nga kandidatët është i mbështetur nga ambasada e SHBA, kjo për faktin si me sa duke ambasada e shikon si njeriun që mund të jetë larg ndikimit politik, nga ana tjetër një prej kandidatëve shihet si i preferuar nga ana e maxhorancës socialiste.
Kandidati i tretë në garë duket në një pozicion më komod dhe gjasat janë që të jetë pikërisht i treti.
Në zgjedhjen e parë të kreut të SPAK, në vitin 2019 Altin Dumani ishte i mbështetur haptas nga ndërkombëtarët. Kondili në atë kohë mori vetëm dy vota dhe në finale doli fitues Arben Kraja.
KLP ka 11 anëtarë, 6 prej të cilëve vijnë nga brenda sistemit, ndërsa 5 të tjerë janë të zgjedhur nga parlamenti. Beteja për kreun e SPAK do të jetë e vështirë dhe është kthyer në çështjen e përplasjes mes ambasadës së SHBA dhe qeverisë.
Mbetet për t’u parë a do të kënaqen me fituesin amerikanët, si një nga mbështetësit më të mëdhenj të reformës në drejtësi. Gjithsesi të tre kandidatët janë prokurorë karriere”, raportoi gazetarja Klodiana Lala.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: