TIRANE

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një dalje për mediat dha sot detaje mbi bursën shqiptare të energjisë.

“Krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë shënon një standard të ri të operimit dhe transparencës së këtij sektori dhe do të jetë një nxitje për hapjen dhe derregullimin e tregut të energjisë elektrike, që në vetvete do të inkurajojë instalimin e burimeve të reja elektroenergjitike në vend, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, integrimin rajonal dhe më gjerë të këtij tregu, rritjen e investimeve në sektor, më shumë transparencë financiare, si dhe standarde të reja përgjegjësie juridike dhe tregtare.

Operatori i Tregut (Bursa Shqiptare e Energjisë), do të operojë në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike në Shqipëri në formën e një shoqërie aksionare, të ndarë financiarisht dhe ligjërisht nga shoqëria “Operatori i Sistemit të Transmetimit” Sh.a.

Ky operator ka për synim mbulimin rajonal të tregtisë së energjisë elektrike dhe mirëpret pjesëmarrje në kapital të atyre operatorëve të sistemit të transmetimit të vendeve me të cilat Shqipëria ka Memorandume Mirëkuptimi dhe aktivitet tregtar të qëndrueshëm në këtë sektor. Kjo qasje reflektohet edhe në kriteret e vendosura për përzgjedhjen e aksionerëve të mundshëm.” U shpreh Balluku.

Fjala e plotë:
Ju bëjmë me dije se në zbatim të politikave të Qeverisë Shqiptare për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe në përputhje me direktivat Evropiane për sektorin e energjisë për instalimin e modelit të ri të tregut të energjisë elektrike, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e datës 15 maj 2019 krijimin për herë të parë në Shqipëri të “Bursës Shqiptare të Energjisë”. Bursa, si instrumenti më i rëndësishëm i këtij tregu, do të operojë dhe do të organizohet në bazë të një platforme elektronike të tregut të ditës në avancë (day-ahead) dhe të tregut të së njëjtës ditë (intraday).
Ky akt u bë i mundur në sajë të bashkëpunimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë, të IFC (International Finance Cooperation), Sekretariatin e Komunitetit Europian të Energjisë dhe aktorë vendas të sektorit elektro-energjitik.
Krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë shënon një standard të ri të operimit dhe transparencës së këtij sektori dhe do të jetë një nxitje për hapjen dhe derregullimin e tregut të energjisë elektrike, që në vetvete do të inkurajojë instalimin e burimeve të reja elektroenergjitike në vend, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, integrimin rajonal dhe më gjerë të këtij tregu, rritjen e investimeve në sektor, më shumë transparencë financiare, si dhe standarde të reja përgjegjësie juridike dhe tregtare.
Operatori i Tregut (Bursa Shqiptare e Energjisë), do të operojë në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike në Shqipëri në formën e një shoqërie aksionare, të ndarë financiarisht dhe ligjërisht nga shoqëria “Operatori i Sistemit të Transmetimit” Sh.a.
Ky operator ka për synim mbulimin rajonal të tregtisë së energjisë elektrike dhe mirëpret pjesëmarrje në kapital të atyre operatorëve të sistemit të transmetimit të vendeve me të cilat Shqipëria ka Memorandume Mirëkuptimi dhe aktivitet tregtar të qëndrueshëm në këtë sektor. Kjo qasje reflektohet edhe në kriteret e vendosura për përzgjedhjen e aksionerëve të mundshëm.
Sipas këtij vendimi, shoqëria e cila do të operojë bursën e energjisë do të themelohet nga OST. Menjëherë me krijimin e saj, bazuar në kritere e procedura të cilat do të garantojnë që në fillim seriozitetin dhe shëndetin e Bursës Shqiptare të Energjisë, do të fillojë edhe procesi i pjesëmarrjes në bursë në cilësinë e aksionerëve, edhe i
∙ operatorëve të tjerë të transmetimit që operojnë në Bashkimin Evropian ose në vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë;
∙ subjekteve të tjera të tregut të energjisë elektrike, të cilët operojnë në Bashkimin Evropian ose në vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë;
∙ subjekteve juridike që kanë përvojë në veprimtarinë e operimit të tregut të shkëmbimeve të energjisë elektrike në Evropë në bazë të rregullave të ngjashme me modelin e tregut të energjisë elektrike në Shqipëri;
∙ si edhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Standardet e imponuara prej themelimit dhe operimit të Bursës Shqiptare të Energjisë, do të ndikojnë direkt dhe indirekt në rritjen e performancës financiare të sistemit dhe tregut elektroenergjitik në Shqipëri.
Hapja e bursës ndaj të gjithë operatorëve të tregut, si dhe qasja në themelimin e saj, do të garantojë funksionim të shpejtë dhe fleksibël të tregut, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve shqiptarë, transparencë financiare në sektor, si dhe përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra kundrejt Komunitetit Europian të Energjisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb