Një studente 20-vjeçare u gjet e pajetë në apartamentin e saj pranë Universitetit të Arizonës në Tucson, ndërsa policia amerikane ka arrestuar në Berlin një student 19-vjeçar nga India, i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e saj.

Viktima, Julissa Ruby Salazar, u gjet e pajetë brenda dhomës së saj pasi familjarët njoftuan policinë, të shqetësuar sepse nuk kishin mundur të kontaktonin me të.

Sipas autoriteteve dhe mediave lokale, i dyshuari është Varun Bachigari, me të cilin Salazar kishte pasur një marrëdhënie. Prokuroria dyshon se ai e ka mbytur studenten në apartamentin e saj.

Hetuesit e identifikuan Bachigarin si të dyshuarin kryesor pasi, sipas policisë, ai dyshohet se mori telefonin celular dhe kartat e kreditit të viktimës dhe më pas u dërgoi disa mesazhe familjarëve të saj, duke shkaktuar shqetësim te të afërmit.

Pas ngjarjes, i riu dyshohet se shkoi në Aeroportin Ndërkombëtar të Tucsonit, ku udhëtoi drejt Hjustonit dhe më pas drejt Evropës. Autoritetet amerikane dyshojnë se destinacioni i tij përfundimtar ishte India. Pas lëshimit të urdhrit të arrestimit, Bachigari u ndalua në Berlin, në bashkëpunim me autoritetet gjermane.

Dyshimet për një histori dhune

Hetimi po shqyrton edhe historinë e marrëdhënies mes viktimës dhe të dyshuarit.

Sipas raportimeve, Salazar po planifikonte të ndahej nga Bachigari dhe më herët kishte pasur incidente të dyshuara dhune ndaj saj. Gjithashtu, raportohet se ajo kishte qenë viktimë e një sulmi seksual të dyshuar.

Dëshmitarë kanë deklaruar se më 5 gusht kishin dëgjuar britma të forta që vinin nga apartamenti i studentes dhe që zgjatën për disa minuta.

Shokë të saj e kontaktuan për ta pyetur nëse ishte mirë. Sipas raportimeve, ajo u përgjigj se ishte mirë dhe se kishte pasur vetëm një sherr.

Bachigari, ndërkohë, përballej edhe me një akuzë tjetër për sulm penal. Një grua tjetër kishte pretenduar gjithashtu se ai e kishte sulmuar seksualisht gjatë Halloween-it.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të vdekjes së Salazar dhe për të mbledhur provat që do të përdoren në procesin gjyqësor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb