Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Graz të Austrisë, ku një 24-vjeçare shqiptare u gjet e pajetë në apartamentin ku jetonte me partnerin e saj.

Viktima është identifikuar si Abigel Laçi, me origjinë nga Vlora. Sipas raportimeve të mediave austriake, e reja dyshohet se është vrarë pasi është goditur me çekiç, ndërsa autori i dyshuar i krimit është vëllai i partnerit të saj.

Ngjarja ndodhi rreth mesditës së së enjtes, më 3 shtator, në një apartament në qendër të Grazit. Policia u njoftua rreth orës 12:40 dhe, pasi mbërriti në apartament, gjeti 24-vjeçaren pa shenja jete. Autoritetet bëjnë me dije se ajo ndërroi jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra.

Policia arrestoi një 23-vjeçar në shkallët e ndërtesës, i cili, sipas dëshmitarëve, ishte i mbuluar me gjak. Në raportimin fillestar, autoritetet deklaruan se i riu kishte lidhje familjare me viktimën. Më vonë u bë e ditur se ai ishte vëllai i partnerit të Abigel Laçit.

Të dhënat paraprake të hetimit sugjerojnë se 23-vjeçari kishte shkuar i vetëm në apartament dhe kishte hyrë me forcë. Në atë moment, Abigel ndodhej e vetme në banesë, pasi partneri i saj nuk ishte aty.

Hetuesit dyshojnë se në kryerjen e krimit është përdorur një çekiç. Për shkak të hetimit në vazhdim, autoritetet nuk kanë bërë publike të gjitha detajet e ngjarjes.

I dyshuari ka zgjedhur të heshtë gjatë marrjes në pyetje dhe nuk ka dhënë asnjë shpjegim lidhur me ngjarjen apo motivin e mundshëm.

Ndërkohë, është kryer autopsia e trupit të 24-vjeçares, ndërsa hetimet vijojnë. Specialistët po punojnë për të sqaruar rrethanat dhe motivin e ngjarjes. Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht ndonjë motiv për vrasjen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb