PEQIN– Një krim brenda familjes ka tronditur Peqinin mbrëmjen e sotme. Babai ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në drejtim të djalit të tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:15  në fshatin Paulesh të Komunës Pajovë në rrethin e Peqinit.

Drejtori i Policisë së Qarkut të Elbasanit, Alfred Çepe bëri me dije se ngjarja ndodhi në familjen Bahja dhe se paraprakisht dyshohet se shkak i kryerjes së këtij krimi të rëndë ka qenë një konflikt i çastit, i cili fatkeqësisht përfundoi në tragjedi. Sipas zyrtarit të policisë konflikti mes babë e bir kishte nisur ditë më parë. Nga hetimi paraprak rezulton se viktima i kishte kërkuar prindërve të tij të moshuar që edhe ai të shkonte në emigrim drejt Anglisë ku ishte edhe vëllai i tij më i madh.

Kërkesa e tij ishte refuzuar ketegorikisht prej prindërve të tij. Ata gjithnjë e kishin kundërshtuar emigrimin e tij si klandestin edhe për shkak të mungesës së parave për të udhëtuar drejt Anglisë. Ky ka qenë edhe shkaku që 33-vjeçari Elton Bahja shkonte në shtëpi në gjendje të dehur. Në një gjendje të tillë të rënduar nga alkooli ai debatonte e grindej pareshtur me prindërit e tij të moshuar.

Burime konfindenciale konfiruan se shpesh ai dhunonte fizikisht edhe nënën e tij, ndërsa kjo e fundit përpiqej ta fshihte   dhunën që ushtrohej ndaj saj nga i biri. Gjatë të martës paradite Elton Bahja kishte debatuar me prindërit dhe kishte nisur ti godiste këta të fundit. Më pas ishte larguar nga banesa për tu rikthyer në mbrëmje. Në momentin që ka hyrë në banesë 33-vjeçari ka filluar të fyejë prindërit e tij më së shumti nënën.

Ai ka tentuar për ta goditur dhe në atë moment ka ndërhyrë i ati, i cili ka tentuar që të ruajë gruan e tij nga grushtat e të birit. Mes babë e bir ka nisur një ndeshje fizike dhe babai 70-vjeçar ka marrë pistoletën që e kishte në një sirtar në bufenë e dhomës ku edhe ka ndodhur sherri dhe e ka goditur djalin e tij jo me qëllimin për ta vrarë por më së shumti për ta trembur atë, por që fatkeqësisht plumbi e ka prekur në kokë Eltonin duke e lënë të vdekur në vend.

Policia e ka marë shumë shpejt informacionin, pasi kanë qenë fqinjët ata që e kanë lajmëruar që kur kanë dëgjuar të shtënat e pistoletës. Deri në momentin që në vendin e ngjarjes ka mbërritur Policia, Ismaili dhe bashkëshortja e tij nuk kanë mundur të dalin dot nga dera dhe të rrëfejnë gjëmën që kanë bërë me djalin e tyre. Ka qenë Policia ajo që ka hyrë në banesë, dhe Ismaili ka dorëzuar armën duke pranuar vetë krimin duke thënë se “vrava djalin tim”.

Ai është shoqëruar menjëherë në komisariatin e Policisë ku edhe ka nisur të merret në pyetje nga ekspertë të krimit, nga ku edhe mësohet se fjalët e tij kanë qenë të pakta dhe se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë. Sipas burimeve jo zyrtare nga Policia mësohet se babai i viktimës ka treguar se nuk ka dashur ta vrasë djalin dhe se as vetë nuk e di se si arriti të shkrepë armën ndaj djalit të tij. Ai nuk e ka mohuar krimin në familje dhe është vetëdorëzuar.

 

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb